Atë Konrad Gjolaj në shtatëvjetorin e kthimit te shtëpia e Atit.
(20.07.2007 RV)Është një nga emrat që rrallë e kurrë përmenden ndër mjetet
zyrtare të komunikimit; një nga njerëzit për të cilët nuk kujtohet kush, kur debatohet
pati apo s'pati disidencë në Shqipërinë e diktaturës, një nga ata që nuk figurojnë
në vitrinat e librarive. Por kjo nuk mund ta shlyejë emrin e tij e të atyre, që flijuan
jetën për t'i qëndruar besnikë Krishtit! Edhe në mos u kujtofshin mbi tokë, besimtarët
janë të sigurtë se emrat e tyre janë të shënuar me gërma ari në Librin e madh, të
amshuar të qiellit, ku shkruan e shlyen vetë dora e Zotit. Një prej këtyre emrave
po kujtojmë sot: Atë Konrad Gjolajn, që ndërroi jetë shtatë vjet më parë në Kuvendin
Françeskan të Gjuhadolit në Shkodër. Jeta e tij, filluar më 2 janar 1918 në Velipojë,
është simbol sa i dhimshëm, aq edhe i lavdishëm i rrugës që përshkoi shumica e meshtarëve
katolikë shqiptarë, dëshmi e gjallë se në Shqipërinë e diktaturës pati disidencë të
fuqishme, në emër të idealeve të pavdekshme të Fesë e të Atdheut. Nxënës i një
gjermani të kulturuar, që derdhi gjakun në e për tokën shqiptare, bir në shpirt i
së cilës ishte, Don Alfons Trackit, Atë Konradi eci besnikërisht në gjurmët e mësuesit
martir. Ishte vetëm 25 vjeç kur u ngjit në elterin e bazilikës së Shën Gjonit në Lateran,
që njihet si katedralja e Romës, për të kremtuar Meshën e parë, për ta vijuar pastaj
misionin në Atdhe, ku më 1947 u arrestua vetëm pse ishte frat. I përgatitur me
kulturën e përgjithshme më të gjërë të kohës në Liceun "Illyricum" në Shkodër dhe
më pas në Universitetin Antonianum të Romës, ku u doktorua në drejtësi kanonike, ai
diti të mbronte idealet fetare e atdhetare me dinjitet të pashoq e aftësi të rralla
juristi, para gjyqit farsë të komunistëve, drejtuar nga gjykatës të përgatitur ndër
kurse kundër analfabetizmit, në duar të të cilëve qenë partia e pushteti, drejtësia
e vetë jeta. Çuditemi pastaj pse Shqipëria është katandisur në vendin më të varfër
të Evropës! Në vend që të lirohej me admirim për mbrojtjen e jashtzakonshme që
nxirte në dritë pafajsinë e tij, duke fajsuar gjykatësit, për të nisi udha e kryqit,
kalvari i një vendi, ku drejtësia nuk ekzitonte. Rrugën e jetës së tij, sa të mundimshe,
aq të lavdishme, që e përfundoi si sot shtatë vjet, na e la trashëgim në shkrimet
e botuara ndër faqet e revistës "Hylli i Dritës" dhe në atë që e quajti "vepra
eme e mbrame" në librit e tij me kujtime "Çinarët".