2007-07-20 18:47:57

Atë Bosi falënderon, plot emocion, nga Radio Vatikani, Papën dhe gjithë ata që e ndihmuan deri në lirimin e tij.


(20.07.2007 RV)RealAudioMP3 Mbarë Kisha, duke nisur nga Papa, u gëzua për lirimin e Atë Gjankarlo Bosit, misionar i Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme, rrëmbyer më 10 qershorin e kaluar në ishullin Mindanao, në Filipine.
Meshtari u lirua dje rreth dhjetë kilometra larg nga famullia e tij e Pajaos, ku kryen zakonisht shërbimin meshtarak. I dobësuar, me shenja të dukshme të vuajtjes, ai shprehu menjëherë dëshirën për t’u kthyer në jetën e tij të përditshme.
I informuar për nismat e organizuara për lirimin e tij dhe për lutjet e Benediktit XVI, meshtari, i prekur thellë, falënderoi – në mikrofonin e radios sonë – Atin e Shenjtë dhe të gjithë ata që u përpoqën për lirimin e tij:Ja ç’na thotë Atë Bosi nga Manila, ku do të qëndrojë disa ditë për të pushuar:
Përgjigje: - Jam mirë. I dobësuar pak, por për të tjerat, fare mirë.
Pyetje: - Ç’mund të na thoni për këto ditë?
Përgjigje: - Është një përvojë që nuk ia uroj askujt, sepse tepër e vështirë. Por megjithatë, më mësoi shumë gjëra, për të cilat besoj se do të kem kohë të reflektoj më thellë. Rëndësi ka se nuk e humba për asnjë çast qetësinë shpirtërore, e për këtë e falënderoj me gjithë zemër Zotin, që më ndihmoi ta duroj me qetësi atë që po më ndodhte.
Pyetje: - A flisnit me rrëmbyesit?
Përgjigje: - Flisja çdo ditë. Ata luteshin e unë lutesha. Një nga pyetjet që u bëra atyre, pasi ia kisha bërë më parë vetes, ishte: “A jemi duke iu lutur të njëjtit Zot, apo kemi të bëjmë me zota të ndryshëm, duke parë se ju luteni me pushkë në dorë të djathtë e unë, me të dyja duart të lidhura? Isha i lidhur, sepse ata donin para për të blerë armë. Prandaj më rrëmbyen.
Pyetje: - Atë Bosi, ju jeni misionar. Përvoja e rrëmbimit duhet t’ju ketë shtyrë të mendoni edhe për misionin…
Përgjigje: - Më bëri të kuptoj se jemi ende shumë larg nga çasti kur do ta shikojmë njëri-tjerin si vëllezër. Po megjithatë besoj se do të vijë dita kur do të mund të themi njëzëri se kemi një Zot të vetëm, që është Ati ynë e se prandaj jemi të gjithë vëllezër e motra.







All the contents on this site are copyrighted ©.