2007-07-19 18:45:51

Lajme nga bota


(19.07.2007 RV)Dy atentate të reja vdekjeprurëse në Pakistan, njëri në veri e tjetri në jug. Numri i viktimave është së paku 41, por mund të rritet. Të plagosurit arrijnë në mëse 60 vetë. Dhuna e ditëve të fundit është rezultat i prishjes së njëanshme të armëpushimit me qeverinë nga ana e rebelëve talebanë, që rrezikon ta çojë vendin në kaos.


Në përgjigje të përjashtimit nga territori britanik i 4 dipllomatëve rusë, Moska do të largojë nga territori i vet 4 diplomatë të qeverisë së Londrës. Deklarata është e ministrisë së jashtme ruse. Ashpërsohen kështu më tej marrëdhëniet Britani e Madhe – Rusi, pasi Kremlini nuk pranoi ekstradimin e të dyshuarit kryesor për vrasjen e agjentit rus Litvinienko, refugjat në Angli.


Në mesnatë me orën evropiane, një shpërthim në gazsjellësin në Manhatën të Nju Jorkut ka shkaktuar një viktimë e disa të plagosur. Fillimisht u mendua për një akt të ri terrorist, por më vonë kjo mundësi u përjashtua.


Në Afganistan, një nga “zotërinjtë më të fuqishëm të luftës”, lideri Hekmatjar ka shpallur armëpushimin me qeverinë e presidentit Karzai. Nuk kuptohet nëse ky është një armëpushim i njëanshëm, apo heqje dorë nga dhuna për të kaluar në veprimtari politike, megjithatë nuk ka dhënë si rezultat ndalimin e dhunës, të dëshirueshëm për vendin.







All the contents on this site are copyrighted ©.