2007-07-18 18:38:03

Në Kadore pritet me interes takimi i klerit vendas me Papën, më 24 korrik.


(18.07.2007 RV)Në Kadore pritet me interes të madh një takim tjetër i rëndësishëm i Papës: të martën e ardhshme Papa do të takohet me klerin e dioqezës së Trevizos e të Belunos. Takimi konfirmohet nga ipeshkvi i Beluno-Feltre, imzot Gjuzepe Andrih, në mikrofonet e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Ia kërkuam ne këtë takim Papës e Papa pranoi. Do të mbahet në Kishën më të madhe në qendër të Lorencagos, ku ndodhet Papa: në Auronco të Kadores. Kisha e këtij lokaliteti, me praninë e një numri të madh meshtarësh, do të jetë vend i një përvoje të jashtzakonshme për ne të gjithë.
Pyetje: - Imzot Andrih, si e keni organizuar ju të dioqezës së Belunos e të Trevizos këtë takim?
Përgjigje: - Ne po organizohemi duke u përgatitur të dëgjojmë fjalën e Papës e duke bërë gati pyetjet që do t’i bëjmë e që lidhen më shumë me realitetin e veprimtarisë sonë baritore në veri-lindje të Italisë, në Veneto, posaçërisht problemet që duhet të zgjidhim në bashkësinë tonë malësore.
Pyetje: - Imzot Andrih, a mund të na njihni më hollësisht me problemet rreth të cilave do të dialogoni me Papën?
Përgjigje: - Ne dëshirojmë posaçërisht të na orientojë për zgjidhjen e problemeve që vërehen në qytetet tona e në qendrat tona më të mëdha. Kanë të bëjnë sidomos me të rinjtë, me formimin, me edukimin e me të gjitha rreziqet që duhet të përballojnë të rinjtë tanë. Flitet shumë, këto ditë, për problemin e alkoolizmit; edhe të rinjtë po e përdorin gjithnjë më shumë alkoolin. Kemi, pastaj, edhe të rinj që vrasin veten. Unë i ndjej thellësisht këto probleme.
Pyetje: - Ka edhe të reja të tjera: për shembull, festa për praninë e Papës në Kadore do të vijojë me koncertin e parashikuar për të premten, kur për nder të Benediktit XVI do të këndojnë koret e malësorëve, që do ta japin koncertin e tyre pikërisht në Kështjellën e Mirabelës, pranë së cilës banon Papa këto ditë pushimi…
Përgjigje: - E kemi këtë mundësi: dioqeza e Beluno-Feltres organizon, me disa kore të Kadores, një çast festiv me këngë që janë pjesë përbërëse e kulturës sonë, e cila ka gjetur gjithnjë shprehjen e vet tek kënga, kryesisht tek kënga polifonike, por edhe tek kënga popullore: e kemi marrë vesh se Papës i pëlqen shumë ky tip kënge. Prandaj menduam t’i krijojmë një atmosferë kulturore me frymën e malësisë, në të cilën Papa po çlodhet këto ditë, duke shëtitur e duke u takuar me njerëzit e malit. E malësorët mbeten tepër të prekur nga mundësia e takimeve të paparashikuara me Atin e Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.