Më 18 korrik Kisha kremton Shën Federikun e Utrehtit, ipeshkëv.
(18.07.2007 RV)“Jeta” e Federikut,
e shkruar nga Otberti në shekullin XI, rreth dy shekuj pas vdekjes së shenjtit, është
pa ndonjë vlerë të veçantë. Prandaj, sipas bolandistëve, dmth etërve jezuitë që punuan
për hartimin e Acta Sanctorum, përmbledhje kritike dokumentash e të dhënash për shenjtorët,
të cilët kremtohen ditë për ditë, nuk meriton as vëmendjen më të vogël. Dihet
me siguri se mori pjesë në Koncilin e Maincit të vitit 829, ku edhe mbajti një fjalim
të rëndësishëm për jetën e Kishës. Kujtohet, më pas, në Kartën e 26 dhjetorit 833
dhe në ‘Jetën’ e Shën Odulfit, të cilin e kishte nisur të ungjillëzonte Frizonët.
Emri i shenjtit kujtohet përsëri në vitin 834 kur, Rabano Mauro i kushtoi komentin
e librit të Jozuehit e shkroi edhe një këngë lavdërimi për nder të tij. Duke shfletuar
‘Jetën’ e shenjtit, mësojmë se duhet të ketë lindur aty nga viti 781 nga një familje
me origjinë angleze, në Angli ose në Frizi. I zgjedhur ipeshkëv i Utrehtit pas vdekjes
së Rikfredit, ndërmjet viteve 825 e 828, edhe në saje të mbështetjes që i dha perandori
Lotari, luftoi kundër paganizmit, që ishte ringjallur në Frizi pas pushtimit norman,
si dhe kundër martesave ndërmjet njerëzve të një gjaku. Njeri guximtar, e qortoi haptazi
perandorin Ludoviku i Përshpirtshëm për martesën me Juditën, në sa ishte ende gjallë
e shoqja, Irmingarda. Perandori, që ‘i përshpirtshëm’ ishte vetëm për emër, u zemrua
aq, sa e mbyti ipeshkvin më 18 korrik 838. Këto të dhëna i gjejmë në disa burime;
të tjera shprehin mendimin se shenjtin e vrau një fisnik i ishullit Valheren, pse
ipeshkvi e kishte qortuar rëndë për mëkatet e tij. Sidoqoftë, vdiq duke kryer shenjtërisht
detyrën që i takonte. I varrosur në kriptën e kishës së Shëlbuesit në Utreht, nisi
të nderohej si martir në krahina të ndryshme të Vendeve të Ulta dhe në Fuldë të Gjermanisë.Më
1362 kafka e shenjtit, e ndarë nga trupi prej ipeshkvit të Folkertit, u mbyll në një
relikuar ari e argjendi dhe u ekspozua për t’u nderuar nga besimtarët. Gjatë reformës
u fsheh në një shtëpi private ku, sipas bolandistit Sipers, ruhej akoma në fillim
të shekullit XVIII. Pjesa tjetër e trupit u zhduk pa gjurmë. Festa e Federikut u vendos
në Martiriologun Romak më 18 korrik.