2007-07-18 18:38:13

Gëzimi i famullitarit më të vjetër në Itali, don Durigetos, për takimin me Papën.


(18. 07. 2007 RV)Këto ditë Papa u takua edhe me famullitarin më të vjetër të Italisë, që vijon veprimtarinë kishtare. Është don Armando Durigeto. Të dielën, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, famullitari i Kapoziles, fraksion i Muziles së Piaves, në provincën e Venedikut – shkëmbeu dy fjalë me Atin e Shenjtë. Por, ta dëgjojmë në telefon vetë don Armandon:
Përgjigje: - Jam meshtari më i vjetër akoma famullitar. Në maj mbusha 96 vjeç, e prandaj më ftoi ipeshkvi. Pata kënaqësinë ta dëgjoj fjalën e Papës e të marr edhe bekimin e tij. Ishte nderim i madh për mua, që tashti e ruaj në zemër, në sa ia transmetoj të gjithë besimtarëve të famullisë sime bekimin papnor. Unë jam i dashuruar me figurën e Papës; e pra kam parë disa papë, sepse jam i datëlindjes 1911… Me atë buzëqeshje, Benedikti XVI më duket si engjëll.
Pyetje: - Ç’ju tha Ati i Shenjtë?
Përgjigje: - Duke më paraqitur, ipeshkvi i tha Benedikti XVI: ka mbushur 96 vjeç e vijon të shërbejë si famullitar. Papa më tha: “Zoti të dhashtë jetë edhe më të gjatë, që t’u bësh përsëri mirë njerëzve”. Këto fjalë kaq të thjeshta lanë një gjurmë të thellë në zemrën time e në lutjet e mia. E falënderova edhe një herë Zotin për 71 vjetorin e Meshës së parë dhe kujtova se deri tani kam kremtuar 36. 495 meshë. Për këtë e falënderoj gjithnjë Zotin e mund të them se nuk jam penduar kurrë që u bëra meshtar.
Pyetje: - A është e vërtetë se feja të mban gjithnjë të ri?
Përgjigje: - Unë përpiqem ta ushtroj gjithnjë me gëzim misionin tim meshtarak: më pëlqen të qesh e t’i bëj edhe të tjerët të qeshin, madje edhe tani.
Pyetje: - Më kanë thënë se ju Atë, nuk i shkruani kurrë predikimet, sepse ju dalin drejt nga zemra….?!Përgjigje: - I shikoj besimtarët në sy, vërej shprehjen e tyre e zemra ime flet vetë e thotë atë që kam në shpirt. Mendoj se duhet të jem shumë më shenjt, shumë më i mirë, duke parë gjithë këto hire që më ka dhënë Zoti. Atë që ndjej në shpirtin tim e them e ua transmetoj besimtarëve të mi.







All the contents on this site are copyrighted ©.