2007-07-18 19:01:18

Arrestohet kreu i Al Kaidës në Irak e lajme të tjera


(18.07.2007 RV)Forcat amerikane kanë arrestuar në Irak, Khaled Al-Mashkadanin, përgjegjësi i Al Kaidës për vendin, i cili mendohet se është ndërmjetësuesi mes Osama Bin Ladenit dhe liderëve të tjerë të huaj të rrjetit terrorist. Gjatë seancës së parë hetimore ai deklaroi se nuk ekziston një drejtues alkaedist në Irak dhe se kjo është vetëm një gënjeshtër për të mbuluar liderin e vërtetë, kreun e qelizës egjiptiane, Abu Ajub Al-Masri.

Atentat i ri i përgjakshëm në Pakistan. Në provincën tribale të Vaziristanit, në kufi me Afganistanin, militantët filotalebanë kanë sulmuar një karvan ushtarak, duke shkaktuar 34 viktima, ndër të cilët 17 ushtarë. Presidenti Musharraf ka deklaruar se do të fillojë një betejë frontale me integralistët islamikë, por nuk ka shpallur gjendjen e emergjencës.

Një vendim që pritej prej vitesh e që e ul disi tensionin ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe Libisë. Këshilli i Lartë për çështjet juridike në Tripoli e ndryshoi dje në burgim të përjetshëm vendimin e dënimit me vdekje për 5 infermieret bullgare dhe mjekun palestinez me kombësi bullgare, të cilët akuzohen se kanë infektuar me virusin e Sidës, 438 fëmijë libikë. Bullgaria ka kërkuar ekstradimin e tyre, në bazë të një marrëveshjeje me Libinë, nënshkruar që në vitet ’80. Bashkësia ndërkombëtare është shprehur e kënaqur me rezultatin, e bindur se infermieret nuk kanë të bëjnë me akuzën që u bëhet. Familjet e viktimave kanë tërhequr padinë, pasi kanë marrë një shumë të madhe të hollash si çmim gjaku për fëmijët e tyre, sipas ligjit islamik.








All the contents on this site are copyrighted ©.