2007-07-18 18:57:14

Ambasadori britanik në Shqipëri: të gjendet konsensusi për presidentin e ri


(18.07.2007 RV)Në Shqipëri, çështja e zgjedhjes së presidentit përfshin edhe një herë ambasadat e huaja. Sot, ambasadori britanik ka kërkuar të gjendet konsensusi për një kandidat të përbashkët të të gjitha partive. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë moment do të pengonte kryerjen e reformave në vend.
E ndërsa politika zien për emrat, edhe në kryeqytet ndihet kriza e ujit të pijshëm, i cili mungon prej ditësh në lagje të tëra, pavarësisht nga marrëveshja që furnizon me ujë dhe energji banorët e Tiranës, në të njëjtat orare. Nga ana tjetër, pa u dukur, qeveria ka shkurtuar numrin e punonjësve të policisë me 850 vetë, duke shkaktuar një reagim të fuqishëm të Pamekës, misionit evropian të ndihmës për policinë shqiptare. Pameka ka shprehur shqetësim të thellë për pushimet nga puna të agjentëve dhe funksionarëve, të cilat “sjellin dobësimin e shumë departamenteve dhe sektorëve jetësorë”. Në fillim të muajit, reforma e strukturës së policisë ka shkurtuar 850 vende në një efektiv prej 12 mijë punonjësish të Ministrisë së Brendshme. “Numri është prerogativë e qeverisë – nënvizon misioni evropian – por zgjedhja duhet të jetë transparente dhe sipas ligjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.