2007-07-17 18:31:40

Pushimet e Benediktit XVI vijojnë me lutje, studim e shëtitje në majat e bjeshkëve të Kadores.


(17.07.2007 RV)RealAudioMP3 Mbrëmë Papa ishte në Danta të Komelikos. Atyre që takoi, u shprehu kënaqësinë që i shkakton admirimi i një peizazhi natyror kaq të bukur, si ky i Dolomiteve. Ditë pushimesh plot ritëm – siç pohon edhe i dërguari i gazetës italiane ‘Avvenire’, Salvatore Maca, i cili na flet në telefon nga Lorencago:
Përgjigje: - Po afrohet tashmë përfundimi i pushimeve e Papa ka nisur t’i shfrytëzojë mirë ditët që i mbeten, duke studiuar, duke u lutur e duke dalë mbrëmjeve, jo më shumë se dy orë, për të vizituar kryesisht vendet popullore të kultit në rrethinat e Lorencagos. Kështu bëri edhe dje: shkoi në Danta të Komelikos, ku u ndalua për t’u lutur në një kishëz të lashtë, kushtuar Shën Barbarës, shoqëruar nga famullitari, me të cilin u lutën së bashku. Për herë të parë u kthye me ngadalë, duke u krijuar njerëzve që e prisnin, mundësinë ta shikonin e ta përshëndesnin. Nesër arrin këtu kardinali Bertone, që do të takohet me Papën, por nuk do të ndalet këtu. Do të shkojë në Pieve të Kadores për t’u takuar me gazetarët. Vërtetohet kështu se kjo periudhë natyrisht është kohë për të pushuar, por edhe për punë të tjera, si për të shkruar, për t’u takuar me bashkëpunëtorët e ngushtë, me një fjalë, për të mos u shkëputur për asnjë çast nga çështjet që kanë të bëjnë me Kishën. Prania e Papës në Kadore, siç e dëshmon turma e besimtarëve që rendën në Lorencago të dielën e kaluar për të ndjekur lutjen e Engjëllit të Tënzot, po jetohet me gëzim të madh nga shumica e banorëve të zonës. Ja edhe dëshmia e kryetarit të bashkisë së Lorencagos, Mario Tremontit, intervistuar nga Radio Vatikani:
Përgjigje: - Natyrisht e jetojmë me ndjenja gëzimi e lumturie. Të dish se e ke pranë Papën e se mund ta shohësh çdo ditë duke kaluar gjatë ekskursioneve të tij, është diçka që besoj se do ta dëshironin të gjithë. Ne jemi vërtetë me fat. Prandaj përpiqemi t’i sigurojmë një atmosferë sa më të qetë, edhe pse malësorët e respektojnë shumë mikun e mundohen ta kënaqin, t’i sigurojnë të gjitha mundësitë për të shijuar natyrën e mrekullueshme të këtyre viseve.







All the contents on this site are copyrighted ©.