2007-07-17 18:53:49

OKB-ja denoncon situatën në Rripin e Gazës. Viktima të reja në Irak.


(17.07.2007 RV)Propozimi i presidentit amerikan Xhorxh Bush për organizimin e një konference ndërkombëtare për paqen në Lindjen e Mesme është pritur mirë nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi e nga vendet arabe në veçanti. Përveç palestinezëve, janë shprehur në favor të saj edhe autoritetet egjiptiane dhe mbreti i Jordanisë. Ndërkaq, në Gazë mbetet shqetësuese gjendja humanitare. Agjensia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë ka kërkuar ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare. Sipas saj, janë të nevojshme 47 milion dollarë për ndërhyrjet e emergjencës. Situata mund të përmirësohet disi së shpejti. Lideri politik i Hamasit, Khaled Meshal ka deklaruar se lëvizja është gati t’ia dorëzojë qeverisë kontrollin e institucioneve të Gazës.


Gjendja humanitare është e vështirë edhe në Irak, ku sipas Organizatës Botërore për Emigracionin, rreth 1 milion irakianë janë larguar nga shtëpitë që nga shkurti i vitit 2006, kur sulmi kundër xhamisë shiite të Askarijes shënoi fillimin e ndeshjeve pa fund ndërmjet sunitëve dhe shiitëve. Pas atentateve të djeshme që shkaktuan rreth 100 viktima, edhe sot njerëz të veshur me uniformën e ushtrisë irakiane kanë vrarë 29 vetë në një fshat të provincës së Dijalës. E atentate të përgjakshme ka pasur edhe në Bagdad. Ndërkaq, Irani ka shprehur sot interes për rifillimin e dialogut mbi Irakun me SHBA-të. Uashingtoni akuzon Teheranin se është bërë një ndihmës i pazëvendësueshëm për kryengritësit shiitë në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.