Mendim i imzot Ravazit për përshpirtërinë e malit.
(17.07.2007 RV)Të djelën e kaluar,
gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI nënvizoi admirimin e tij për bukuritë
natyrore, të cilat shndërrohen lehtë në lutje. Një mendim për këtë shndërrim të bukurisë
në himn lavdërimi për Krjuesin e saj, na e jep, në mikrofonin tonë, imzot Gjanfranko
Ravazi, prefekt i Bibliotekës Ambroziane: Përgjigje: - Dëshroj të nisem
nga një frazë e një shkrimtari anglez, e pikërisht e Çestertonit, i cili në një nga
veprat e tij thotë: “Bota do të mbarojë jo pse i mungojnë mrekullitë, por pse i mungon
aftësia për t’u mrekulluar”. Njerëzimi do ta humbasë humanitetin e vet të thellë e
identitetin e vet, atëherë kur nuk do të ketë më aftësi për t’u mahnitur, për të kundruar.
Posaçërisht në vizionin fetar, njeriu arrin të depërtojë në brendësinë e kozmosit
– e jo rastësisht quhet kozmos, fjalë greke që do të thotë i rregullt – e të gjejë
në të një mesazh të mbinatyrshëm, të gjejë shenjat e Krijuesit. Parë në këtë dritë,
është e natyrshme që duhet ta kesh aftësinë për t’u mrekulluar. Pyetje: -
Si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe në të Renë mali është gjithnjë vend i lidhur
me çaste të jashtzakonshme, që i paraprijnë vendimeve të rëndësishme: mjafton të mendojmë
për jetën e Jezusit… Përgjigje: - Kjo është më se e vërtetë! Në një farë
çasti – e unë e kam bërë një herë këtë me një libër të tërë - mund të rindërtohen
të gjitha malet e Biblës e janë vërtetë një vargan i pafund. Vetë Krishti në Malin
e Lumturive, paraqet gati paralelisht me Sinain, ligjin e tij të ri, të plotë të përkryer,
por që lidhet gjithnjë me atë që zbriti si zëri i Zotit, përmes fjalës së Moisiut,
nga ajo majë. Dua të kujtoj se ekziston, pastaj, edhe një mal gjeografikisht krejt
i parëndësishëm, që tanimë mbyllet brënda një bazilike: e kam fjalën për një majë
shkëmbore 7-8 metrash, për Kalvarin, në hebraisht Golgota, që u bë vend simbolikisht
qëndror për fenë e krishterë e, sadopak, edhe për të gjithë ata që kundrojnë misterin
e dhimbjes e të shpresës. Pyetje: - Benedikti XVI po kalon një periudhë
pushimesh, duke na kujtuar se pushim nuk do të thotë të dalim nga vetvetja… Përgjigje:
- Kjo është e vërtetë. Po e them menjëherë se fjala pushim ‘vakancë’ vjen nga
latinishtja, nga folja latine ‘vacare’, që nuk do të thotë zbraztësi, boshllëk, vakuum,
por impenjim, do të thotë ‘t’i kushtohesh diçkaje”. E në këtë dritë duhet ta rizbulojmë
edhe ne pushimin, posaçërisht kur tundohemi të bëjmë një pushim që s’është tjetër,
veçse imitim i pështjellimit, i lodhjes e i zhurmës së kohës së punës, që bëjmë gjatë
gjithë vitit. Mendo, për shembull, ata që shkojnë të pushojnë në qytete të ndryshme
bregdetare, të cilat në fund të fundit s’janë tjetër, veçse vise ku ridëgjohen të
gjitha zhurmat e ripërtrihen të gjitha tensionet e jetës në qytete. Ndërsa do të ishte
mirë të kujtojmë se majat e maleve janë simbolikisht më frymëzuese e të ndihmojnë
të rigjesh aftësinë për të hyrë në vetvete...