2007-07-17 18:31:57

Marrëveshje ndërmjet kryedioqezës së Los Ánxhelos dhe viktimave të shpërdorimeve seksuale. Impenjimi i kardinalit Mahoni për shmangien e dramave të reja.


(17. 07. 2007 RV)RealAudioMP3 Edhe një herë u kërkoj personalisht të falur të gjithë atyre që kanë vuajtur për shkak të shpërdorimeve seksuale nga ana e priftërinjve, rregulltarëve e laikëve të kryedioqezës sime: kështu u shpreh kryeipeshkvi i Los Ánxhelos, kardinali Roxher Mahoni, në një komunikatë, pas njoftimit të marrëveshjes për zhdëmtimin e 508 viktimave të shpërdorimeve seksuale me shumën 660 milionë dollarë. Kardinali mbajti në qytetin kalifornian edhe një konferencë shtypi, gjatë së cilës, ndërmjet tjerash, u shpreh kështu:
One more time…
“U kërkoj përsëri të falur të gjithë atyre që kanë pësuar shpërdorime në Kishën katolike nga ana e priftërinjve, rregulltarëve e laikëve”: këtë ripohoi Kardinali Roxher Mahoni i cili, me hidhërim të thellë, shtoi: “Kjo nuk duhej të ndodhte! Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë më!”. Zhdëmtimi – nënvizohet në Komunikatën e lëshuar nga kryedioqeza e Los Ánxhelos - është një nga përpjekjet për të vënë në vend dëmin e bërë dhe për të krijuar frymën e pajtimit në favor të atyre që kanë vuajtur për shkak të shpërdorimeve të kryera nga kleri.
Many of the victims…
“Shumë nga viktimat – nënvizoi kardinali – më kanë thënë me shqetësim të thellë se ndonëse shpërdorimet u dënuan e viktimat u dëmshpërblyen, nuk ka asnjë mundësi kthimi mbrapa, ashtu si nuk ka shpërblim që u kthen pafajsinë e rrëmbyer fëmijëve të dhunuar”. Atëherë Hirësisë së Tij s’i mbetet tjetër, veçse të urojë që viktimat e shpërdorimeve seksuale të gjejnë sadopak ngushëllim në zhdëmtimin, të cilin do ta marrin për dëmin që u është bërë. Më pas Kardinali Mahoni vuri theksin mbi punën e madhe që po bëjnë famullitë e Los Ánxhelos për të shmangur çdo rrezik të rasteve të reja të kësaj natyre.
We have not spent our time…
“Nuk e kemi shpenzuar kohën tonë vetëm për të zgjidhur këto raste të pedofilisë, por jemi duke bërë çmos që Kisha të jetë vend i sigurtë për të gjithë, posaçërisht për fëmijët e për të rinjtë”. Kardinali Mahoni kujtoi se që nga viti 2002, kryedioqeza e tij po vë në jetë një program, për t’u siguruar se kushdo që punon me fëmijët në kryedioqezë, është i përgatitur mirë për ta bërë këtë e sidomos se gjatë kryerjes së shërbimit nuk krijon asnjë situatë kërcënuese ose të rrezikshme për fëmijët e të rinjtë. Kardinali amerikan vë në dukje se zhdëmtimi do të ketë pasoja serioze ekonomike për jetën e kryedioqezës. Gjithsesi pohohet se nuk do të shitet asnjë pronë e rëndësishme dhe se kjo ngjarje nuk do të peshojë mbi asnjë famulli ose shkollë. Shpërdorimet mbi të miturit - vëren kryeipeshkvi i Los Ánxhelos, janë mëkat e krim. Nuk ka vend në radhët e klerit për atë që dhunon fëmijët.Në një dokument të kryedioqezës së Los Ánxhelos njoftohet se gjatë 75 vjetëve të fundit janë akuzuar për pedofili 113 meshtarë. Prej tyre, 43 kanë vdekur, 54 nuk janë më në radhët e Kishës. Mbeten akoma 16 meshtarë, që vijojnë ta ushtrojnë shërbimin e tyre. Nga ky grup, për 12 meshtarë nuk ka akoma prova të mjaftueshme që vërtetojnë fajsinë e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.