2007-07-16 19:03:31

Këshilli i Sigurimit diskuton rezolutën e pestë për Kosovën


(16.07.2007 RV)Në momentet që ne po transmetojmë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së po diskuton me dyer të mbyllura për rezolutën 1244 të Kosovës, e cila duhet zëvendësuar me projektrezoluten e re mbi statusin e vendit. Kjo është projektrezoluta e pestë, e sponsorizuar nga SHBA-të dhe BE-ja, që propozon vazhdimin e bisedimeve serbo-kosovare me një afat të kufizuar, pas të cilit do të hyjë në fuqi plani i Ahtisarit. Pasi ka hedhur poshtë të gjitha projektrezolutat e mëparshme, Rusia pritet të paraqesë ndryshime edhe për këtë të fundit. Kosova shpreson në mbështetjen e fortë amerikane, sipas deklaratës së ambasadorit të Uashingtonit, Zalmaj Khalilzad, i cili javën e kaluar sqaroi se SHBA-të do të shkojnë përpara si me Këshillin e Sigurimit, ashtu edhe pa të.
Ekipi i Unitetit në Kosovë duhet të vendosë kësaj jave për qëndrimin që do të mbajë në takimin me sekretaren e shtetit amerikan, Kondolica Rajs, përsa i përket statusit të Kosovës. Anëtarët e tij akoma nuk kanë një mendim të përbashkët. Kryeministri Agim Çeku dhe lideri i ORA-s, Veton Surroi janë për caktimin e një date për zgjidhjen përfundimtare të statusit, ndërsa presidenti Fatmir Sejdiu dhe lideri i PDK-së Hashim Thaçi janë shprehur kundër vendosjes së një afati.


Gjenerali serb Vlastimir Gjorgjeviç e ka deklaruar veten të pafajshëm në seancën e sotme para Gjykatës së Hagës. 58 vjeçari akuzohet si bashkëpunëtor në dëbimin e dhunshëm të 800 mijë shqiptarëve nga Kosova, në vrasjen e 700 shqiptarëve si dhe në krimet seksuale të ushtarëve nën komandën e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.