2007-07-16 17:41:18

Dashuria është zemra e jetës së krishterë: kështu Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot në Lorencago, nga ku i ftoi të rinjtë për DBR në Sidnei.


(16.07.2007 RV)RealAudioMP3 Edhe pushimet mund të jenë kohë shumë e përshtatshme për të forcuar lidhjet personale me Krishtin: këtë nënvizoi dje Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në kornizën sugjestive të Kështjellës së Mirabelës, në Lorencago të Kadores ku, që nga e hëna e kaluar, po kalon një periudhë pushimesh. Një numër i madh besimtarësh rendën nga të katër anët e bjeshkëve të Kadores, për t’i shprehur Papës dashurinë e tyre e për të ndjekur nga afër takimin e parë publik të Benediktit XVI në Lorencago. Duke kujtuar shembëlltyrën e samaritanit të mirë, Papa ripohoi se dashuria është zemra e jetës së krishterë. Më pas njoftoi se të premten e ardhshme do të publikojë Mesazhin për Ditën XXIII Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Sidnei pas një viti, pikërisht në këto ditë të korrikut. Fjalimin e përshëndetjes, drejtuar Papës në emër të të gjithë besimtarëve, e mbajti ipeshkvi i Trevizos, imzot Andrea Bruno.
Panorama mahnitëse dhe ngrohtësia e besimtarëve ishin korniza e lutjes së parë të Engjëllit të Tënzot të Benediktit XVI në Lorencago të Kadores. Në një atmosferë thellësisht festive, Papa falënderoi Zotin që i dha mundësinë të kalonte disa ditë pushimi në bjeshkë e edhe të gjithë ata që po japin ndihmesën e tyre për t’i siguruar ditë të qeta, të këndshme e të frytshme. Pastaj nënvizoi se duke parë majat që lartohen drejt qiellit, të lind padashur në zemër dëshira për ta lavdëruar Hyjin për veprat e tij të mrekullueshme. E kështu - vijoi Ati i Shenjtë, admirimi ynë për bukuritë natyrore shndërrohet lehtësisht në lutje. Më pas Ati i Shenjtë nënvizoi vlerën që kanë pushimet për të krishterin:
Çdo i krishterë i mirë e di se pushimet janë kohë e përshtatshme për të çlodhur trupin e për të ushqyer shpirtin, duke ia kushtuar një pjesë të kohës së lirë lutjes e meditimit, për të forcuar kështu lidhjet me Krishtin e për t’i përvetësuar sa më mirë mësimet e Tij”.
Më pas u ndalua tek liturgjia e së dielës e, sidomos, tek faqja ungjillore e samaritanit të mirë. Ky tregim – tha Papa – të bën të hysh në zemër të mesazhit ungjillor, që është dashuria për Zotin e për njerëzit. Vetë Jezusi – ripohoi Ati i Shenjtë – i kërkon secilit nga ne të bëhet i afërm i çdo njeriu që takon. Fjalë, këto, që u pasuan nga një reflektim e nga një njoftim i rëndësishëm:
“Dashuria, pra, është zemra e jetës së krishterë; në të vërtetë, vetëm dashuria që ngjall në ne Shpirti Shenjt, na bën dëshmitarë të Krishtit. Këtë të vërtetë të rëndësishme shpirtërore e zgjodha për ta propozuar në Mesazhin tim kushtuar Ditës XXIII të Rinisë, i cili do të publikohet të premten e ardhshme, më 20 korrik: “Por ju do të merrni fuqinë e Shpirti Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi” (Vap.1, 8). Kjo është tema për të cilën, të dashur të rinj, ju ftoj të reflektoni muajt e ardhshëm, që të përgatiteni kështu për takimin e madh, i cili do të mbahet në Sidnei, në Australi, pas një viti, pikërisht në këto ditë korriku”.
Papa ia besoi Zojës së Bekuar periudhën përgatitore të takimit të ardhshëm të rinisë dhe i ftoi të rinjtë të marrin pjesë me shumicë. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI përshëndeti drejtuesit e institucioneve vendase dhe ipeshkvijtë e zonës, imzot Andrihun, ipeshkëv i Beluno- Feltres, imzot Maxokaton, ipeshkëv i Trevizos, imzot Manjanin, ipeshkëv nderi i Trevizos dhe imzot Paskualoton, ipeshkëv ndihmës i Manaus, në Brazil, lindur në Trevizo, duke i siguruar se lutet në mënyrë të veçantë për ta e për bashkësitë e tyre dioqezane. Si përshëndeti të rinjtë e kampeve të pushimit, skautët e seminaristët, Papa shkëmbeu dy fjalë me një grup besimtarësh në sheshin para Kështjellës së Mirabelës, i rrethuar nga duartrokitjet, brohoritjet e këngët e turmës.







All the contents on this site are copyrighted ©.