(15.07.2007 RV)Sot, e diela XV e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Kisha
katolike kremtoi edhe Shën Bonaventurën, françeskan, kardinal, ipeshkëv i Albanos
e doktor i Kishës. Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Zojës së Karmelit,
që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Do të përkujtohet edhe
Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera
të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qëndër të gjithçkaje
dhe na kërkon ta vemë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë.
Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe,
sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje. Liturgjia e së martes na kujton
se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar.
Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti
na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë
se pa Të nuk mund të kemi jetë. Është festa e Shën Marçelinës, virgjër, motër e Shën
Ambrozit, ipeshkëv; e Shën Aleksit dhe e Shën Leonit IV, papë. Në përkujtimin
e Shën Emilianit, martir e të Shën Brunos së Senjit, ipeshkëv që do të kremtohen
të mërkurën, liturgjia na kujton përgjigjen që Krishti i jep Hyjit: “Kështu
të pëlqeu, ty, o Atë”, me të cilën miraton pa kushte vullnesën e Perëndisë. Përgjigja
e Krishtit duhet të jetë përgjigja e çdo të krishteri. Shën Simaku, që do të
kremtohet të enjten, na kujtonse Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë.
Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i
dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve
tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas,
duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë
e të përvujtë, si na mëson Ai. Të premten e ardhshme Kisha do të kremtojë
festën e Shën Apolinarit, ipeshkëv i Ravenës e martir, të Shën Elisë profet e të Shën
Aurelit të Kartagjenës, që e kaluan jetën duke besuar Zotin, në të cilin gjetën lirinë
e plotë të shpirtit. Shën Elia është pajtor i Berdicës e i Reçit, fshatra pranë
Shkodrës, që të premtën do të jenë në festë. Liturgjia e ditës së fundit të
javës na kujton se shërimet që kryen Jezusi të shtunën, nuk duhen shikuar si shkelje
e ligjit të Hyjit, por si shenjë e mëshirës së tij, që shprehet edhe në parafoljet
e Izaisë profet. Mishërim i ligjit të mëshirës ishin edhe Shën Lorenci nga Brindizi,
meshtar kaupuçin doktor i Kishës, Shën Prasedia romake e Shën Ezekieli profet, që
do të kremtohen të shtunën e ardhshme. Është nata e festës së Shën Marisë Madalenë,
që festohet nga etërit kapuçinë në Kishën e Taraboshit, në breg të lumit Bunë.