2007-07-14 18:02:54

Përkujtohet sot Shën Bonaventura, teolog mistik i madh françeskan.


(15.07.2007 RV)Lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhërit e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike. Por mbi ç’ baza ngrihet teologjia e tij?
Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në në Parriz.
Shën Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca - pa dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”.
U shpreh kështu me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është dhuratë që vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit. Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin e tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore.Këtë na kujton teologu i madh françeskan në ditën e festës së tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.