2007-07-13 17:40:26

Pllaka e Muzeumit Britanik vërteton karakterin historik të Biblës: për specialistët, një nga zbulimet më të mëdha të shekullit.


(13.07.2007 RV)Në një pllakë argjili, e cila i përket vitit 595 para Krishtit, ruhet një provë që vërteton se Bibla nuk është fantazi, por vepër me bazë historike. Skalitur me shkronja kuneiforme, në pllakëzën e Muzeut Britanik duket emëri i një funksionari në shërbim të mbretit babilonez Nabukodonezor, që përmendet edhe në Besëlidhjen e Vjetër, në kapitullin e 39-të të Librit të Jeremisë.
Zbulimi, revolucionar po të shprehemi me termat e arkeologjisë fetare, sepse është hera e parë që një dokument provon ekzistencën historike të një njeriu, emri i të cilit kujtohet në Bibël, u bë në Londër nga profesor Mikel Jursa i universitetit të Vjenës, që ndodhej në kryeqytetin britanik për kërkime shkencore.
“E ndjeva veten thellësisht të prekur e të mrekulluar – pohoi studiuesi - një nga të paktët në botë që është në gjendje të deshifrojë pa asnjë problem shkrimin kuneiform – sepse të gjesh një pllakë – dmth një faqe antike libri- në të cilën lexon emrin e një njeriu të pranishëm edhe në faqet e Biblës, është vërtetë një ngjarje e jashtzakonshme.
Në disa rreshta, që përmban fragmenti, i gjërë 5, 5 centimetër, flitet për Kryeunukun Nebo-Sarsekim dhe për një dhuratë bujare që i bënte tempullit babilonez të Esangilës: një sasi ari me peshë 0, 75 kilogram. I njëjti njeri duket edhe në Librin e Jeremisë. Sipas profetit, kryefunksionari ishte i pranishëm në vitin 587, kur mbreti Nabukodonosor marshoi kundër Jeruzalemit me gjithë ushtrinë e tij vigane dhe e rrethoi qytetin.
E kjo – pohon Geza Vermes, profesor nderi i i studimeve hebraike pranë Universitetit të Oksfordit, tregon se Bibla nuk është prodhim fantazie. Prandaj mund të themi se ky është zbulim interesant jo vetëm për besimtarët, por edhe për historianët.
Edhe personeli i British Museum ka shprehur kënaqësinë e vet të thellë për këtë zbulim kaq të rëndësishëm, që u arrit përmes leximit të pllakës, ku shenohej një akt tregtar, i cili në kohët tona, do të shërbejë si dëshmi për ta rilexuar historikisht Besëlidhjen e Vjetër.
E çka të çudit më shumë, është se dokumenti bën pjesë në një koleksion prej njëqindmijë pllakash, të studiuara ditë për ditë nga studiues ardhur nga mbarë bota. Ndonëse i kaluar nëpër dorë nga specialistë të shquar për tetëdhjetë vjet me radhë, askush nuk u kujtua për rëndësinë historike të përmbajtjes së pllakës. Ky zbulim konsiderohet ndër më të rëndësishmit që janë bërë gjatë njëqind vjetëve të fundit.
Kujtojmë se shkrimi kuneiform është më i lashti që njihet deri tani. U përhap në Lindjen e Mesme ndërmjet viteve 3200 para Krishtit dhe shekullit II pas Krishtit. U përdor për të shkruar në 15 gjuhë të ndryshme, ndërmjet të cilave, gjuha babiloneze, asire e hitite. Pllakat shkruheshin me mjete të mprehta në majë, kur argjili ishte ende i freskët.







All the contents on this site are copyrighted ©.