2007-07-13 19:02:26

Ipeshkvijtë latinoamerikanë falënderojnë Papën për Konferencën e Aparesidës: intervistë me kryetarin e ri të Çelamit, imzot Damasheno Asiz.


(13.07.2007 RV)RealAudioMP3 Një përshëndetje plot ngrohtësi e mirënjohje, në sa kujtojnë Konferencën V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik, e cila do të mbetet e paharrueshme në kujtesën e atyre, që patën fatin të merrnin pjesë në punimet e saj! Këto ndjenja përmban një mesazh drejtuar Benediktit XVI nga autoritetet e reja të Çelamit (Konferenca e përgjithshme e episkoptatit latinoamerikan dhe karaibik), të kryesuara nga Imzot Raimundo Damasheno Asiz, kryeipeshkëv i Aparesidës, qytetit brazilian ku u mbajtën punimet e Konferencës ipeshkvnore. E nuk mungon as shprehja e mirënjohjes së thellë ndaj Papës nga ana e ish-kryetarit të Çelamit, kardinalit Francisko Havier Errazuriz, kryeipeshkëv i Santjagos së Kilit. Nesër do të jetë dita e fundit e punimeve për ipeshkvijtë latinoamerikanë, të mbledhur që të martën e kaluar në ishullin e Kubës:Por për t’u njohur nga afër me gjendjen shpirtërore të Kryetarit të ri, në prag të fillimit të mandatit në krye të ipeshkvijve latinoamerikanë e karaibikë, të dëgjojnë vetë kryeipeshkvin Raimundo Damasheno Asiz në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Unë natyrisht nuk shpresoja të zgjidhesha, prandaj i shpreh mirënjohjen time ipeshkvijve, që më besuan kryesinë e një organizmi kaq të rëndësishëm për Amerikën Latine. Mision i vështirë për t’u kryer, por unë besoj në radhë të parë në ndihmën e Zotit, por edhe në bashkëpunimin e të gjithë anëtarëve të tjerë të kryesisë e të gjithë atyre që do të zgjidhen më pas si kryetarë të departamenteve të ndryshme të ÇELAM-it. Misioni nuk mund të realizohet pa një punë në ekip, pa bashkëpunuar ngushtësisht, për të mirën e mbarë Amerikës Latine, me objektiv kryesor, vënien në jetë të detyrave që përcaktoi Konferenca V e Aparesidës, duke i pasur mirë parasysh porositë e Papës, zëri i të cilit vijon të tingëllojë në mbyllje të Konferencës, të cilën e hapi gjatë shtegtimit të tij apostolik në Brazil.
E Papa porositi: “Kisha nuk bën prozelitizëm, nuk shtrëngon askënd të bëjë pjesë në radhët e saj. Ajo nuk detyron por tërheq, ashtu si Krishti, i cili i bën të gjithë për vete me forcën e dashurisë së tij, që arrin kulmin në flijimin e Kryqit. Ju besoni në Zotin dashuri: kjo është forca juaj që mund botën, është gëzimi, që askush nuk mund t’jua rrëmbejë, paqja që Krishti e fitoi me Kryqin e tij. Kjo fe e bëri Amerikën ‘Kontinent të shpresës’. Nuk e bëri ndonjë ideologji politike, as ndonjë lëvizje shoqërore e as ndonjë sistem ekonomik, por besimi në Hyjin dashuri, që u mishërua, vdiq e u ngjall në Jezu Krishtin, themel i vërtetë i kësaj shprese, e cila solli shumë fryte, që nga epoka e ungjillëzimit të parë e deri më sot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.