2007-07-12 18:38:43

Dokumenti mbi Kishën është ftesë për dialog: kardinali Kasper u përgjigjet kritikave të bashkësive protestante.


(12.07.2007 RV)Deklarata “Përgjigje pyetjeve që kanë të bëjnë me disa aspekte të Doktrinës mbi Kishën”, e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, publikuar dy ditë më parë, dokument që, duke pasqyruar zhvillimet e rëndësishme ekumenike, sqaron posaçërisht aspektin sipas të cilit Kisha e Krishtit ekziston në këtë të sotmen, u prit me reagime të forta, deri në acarim, nga ana e të krishterëve protestantë. ‘Një lexim më i qetë mund të sqarojë se Dokumenti nuk thotë asgjë të re, por paraqet e shpjegon përmbledhtas, qëndrimin që ka mbajtur deri tani Kisha katolike’. Nis me këto fjalë, deklarata e gjatë e kardinalit Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, përmes së cilës u përgjigjet reagimeve të ndryshme që ngjalli botimi i Dokumentit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë . ‘Nuk kemi të bëjmë me një situatë të re – vëren Hirësia e Tij – prandaj nuk ka asnjë arsye objektive për t’u acaruar ose për ta ndjerë veten të trajtuar ashpër. Çdo dialog presupozon qartësi lidhur me qëndrimet e ndryshme.
Duke folur për bashkësitë e Reformës, kardinali saktëson se ‘kanë qenë pikërisht partnerët protestantë ata, që kohët e fundit kanë kërkuar një ekumenizëm të shpjeguar më qartë. E tani – shton kardinali – Deklarata s’bën tjetër, veçse të shpjegojë këndvështrimin katolik, dmth atë që, sipas mendimit katolik, na ndan akoma, gjë që më duket se nuk duhet ta kufizojë dialogun, por ta favorizojë atë. Një lexim i vëmendshëm i tekstit – vijon kryetari i dikasterit papnor – sqaron atë që Dokumenti nuk e thotë, dmth se Kishat protestante nuk janë Kisha. Përkundrazi, thuhet se nuk janë Kisha të mirëfillta në atë kuptim që ka Kisha katolike për Kishën. Kjo, për çdo njeri me formim mesatar ekumenik, është krejt e qartë. Në të vërtetë – nënvizon kardinali Kasper, ‘as Kishat evangjelike nuk dëshirojnë të jenë Kisha në kuptimin katolik të kësaj fjale; për to ka shumë rëndësi koncepti i Kishës e i shërbimit, por që nuk i përgjigjet konceptit katolik. Thua s’është e vërtetë – pyet kardinali Kasper – se dokumenti më i fundit evangjelik mbi ‘Shërbimin meshtarak dhe shugurimin” ka bërë të njëjtën gjë, duke pohuar se Kisha protestante ka këndvështrimin e vet të veçantë mbi ‘Kishën dhe Shërbimin meshtarak’?
Kur, pas publikimit të Deklaratës‘Dominus Iesus’ pata pohuar se Kishat protestante janë Kisha të një tipi tjetër, kjo nuk binte në kundërshtim me formulimin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, siç pati pretenduar ndokush nga pala evangjelike. Përkundrazi, kërkova një shprejgim sa më të përshtatshëm, për të cilin jam i bindur edhe sot e kësaj dite. Mbi të gjitha – vëren kardinali Kasper – katolikët akoma sot flasin për Kisha protestante, për EKD-në si Kishë protestante në Gjermani, VELKD-në si Federata e Kishave Evangjelike Luterane të Gjermanisë, për Kishën e Anglisë etj etj. Deklarata e Kongregatës për Doktrinën e Fesë – ripohon kardinali – nuk bën tjetër, veçse vë në dukje se ne përdorim fjalën Kishë, duke i dhënë asaj një kuptim që nuk është plotësisht i njëjtë për të dyja palët. Deklarata i shërben qartësisë, e si pasojë, përparimit të dialogut.
E sigurisht – pohon në vijim kardinali gjerman – në bazën e dialogut nuk është ajo që na ndan, por ajo që na bashkon, e cila është shumë më e madhe se ajo që na përçan. Prandaj nuk duhen anashkaluar pohimet pozitive të Deklaratës për Kishat protestante, dmth se “Jezu Krishti është i pranishëm ndër to për shëlbimin e anëtarëve të tyre”. Të shikosh vetëm nga e kaluara – vijon kardinali – nuk më duket gjë e përshtatshme, në sa, duke ecur në gjurmët e Koncilit II të Vatikanit (Dekreti mbi Ekumenizmin, nr. 22) bëhen një sërë pohimesh pozitive lidhur me njohjen e Pagëzimit e, ndonëse me ndryshime të rëndësishme, edhe të kremtimit të Darkës së Mbrame në Kishat protestante.Prandaj – thekson në përfundim kardinali Kasper – Deklarata nuk është kthim mbrapa, nuk e frenon progresin ekumenik që është arritur, por impenjohet të zgjidhë detyrat ekumenike që kemi përpara. Ndryshimet duhet të na nxisin e jo të na trondisin, thjeshtë sepse i quajmë me emrin e vet. Së fundi – theksohet me forcë – Deklarata është ftesë urgjente për të vijuar qetësisht dialogun.







All the contents on this site are copyrighted ©.