2007-07-12 18:39:50

Atë Shtjefën Gjeçovi në 133-vjetorin e lindjes.


(12.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sapo kujton emrin e tij, edhe më të fundmit të shqiptarëve, që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte ngapak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
Lindi 133 vjet më parë, më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarësie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjën françeskane. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bosnjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët shqiptarë do të merrnin rrugat drejt Austrisë, Italisë e Gjermanisë.
Shumë shpejt nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkelologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.
U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbram!
Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të trija gjinitë kryesore letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, "Kanunin e Lekë Dukagjinit" monumet i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa".
Lista e veprave të tij ësht shumë e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër me karakter hagjiografik, që meriton të njihet më shumë, si ‘Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit’. Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas asaj dite ogurzezë të viti 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigjin Paliq, martir i fesë e i atdheut, që pasuruan procesin dioqezan për lumnimin e tij, në vijim.
Ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe një monografi me titull "Shtjefën Gjeçovi: Jeta , vepra me autor Ruzhdi Matën. Gjithsesi shkrimet më të besueshme për të janë ata që mbajnë nënshkrimin e sivëllazënve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashk Bardhit, historianit të fretërve.Duke përkujtuar sot Atë Gjeçovin, bëmë vetëm një skicë të shpejtë të një figure që i ngriti vetevetes një monumet të pashkatërrueshëm nga koha!







All the contents on this site are copyrighted ©.