84 vjet më parë vdiq Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh.
(12.07.2007 RV)Më 12 korrik 1923
u nda nga jeta, në Napoli, poeti e shkrimtari arbëresh Atë Leonardo de Martino. De
Martino (1830-1923, nga fshati Greçi i Kampanjës në krahinën e Avelinos, që i ri u
nis si misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për
hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri. Kreu shërbimn meshtarak kryesisht
në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu
si sekretar i Prenk pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të pashës,
Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël
Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në
Poetin që cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore në majat më
të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit de Martino. Atë Leonardi
u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë shqipe thuhet
se doli në pension, duke harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar e se rregulltarët
nuk e dinë ç’është pensioni, sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën
e kësaj bote. E de Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin
e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923, duke i lënë trashëgim kulturës shqiptare pasurinë
që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provinçën françeskane: veprat, të përkthyera
e origjinale, shkruar në dialektin gegë. Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’,
variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez Tomaso
Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d'Istrias më 1868; ‘Munnimi
i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios
(1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L'Arpa di un italo-albanese, (Harpa
e një arbëreshi), Venedik 1888. Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë
më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në italishte e në shqipe, shkruar me
finesë e pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën
teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në
shqipe. Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore
e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv,
kushtuar Zojës së Bekuar, ishte një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.