2007-07-11 18:38:45

Thirrje e Papës për ratifikimin e konventës në mbrojtje të punëtorëve emigrantë.


(11.07.2007 RV)Dje kryeipeshivi Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve dhe endacakëve, kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Forumin Global mbi emigracionin e zhvillimin, që vijon punimet në Bruksel, u bëri thirrje, në emër të Papës, qeverive të vendeve të pasura, ta ratifikojnë Konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punonjësve emigrantë e të anëtarëve të familjeve të tyre.
Emigrantët duhet të respektohen e duhet t’u garantohen plotësisht të gjitha të drejtat – kujtoi imzot Marketo – së pari për shkak të dinjitetit të tyre njerëzor, por edhe pse japin një ndihmesë jo të pakët për mirëqenien e vendeve ku punojnë. Prandaj kanë plotësisht të drejtë të sigurojnë një jetë dinjitoze, të trajtohen njerëzisht në vendin ku punojnë, të kenë të drejtën e shkollimit, të mbrojtjes së shëndetit, të zhvillimit njerëzor, kulturor e profesional, të shprehjes së lirë të kulturës e të praktikimit të fesë së tyre si dhe të të gjitha shërbimeve të tjera shoqërore.
Por, përveç të drejtave, në fjalimin e tij prelati kujtoi edhe detyrat, duke nënvizuar se të drejtat e detyrat shkojnë krah për krah e se prandaj emigrantët duhet të respektojnë identitetin dhe ligjet e vendit të banimit, të luftojnë për integrim të drejtë, jo për asimilim, në shoqërinë që i strehon e të mësojnë gjuhën e vendit ku punojnë. Ata – shtoi përfaqësuesi i Vatikanit – duhet ta nderojnë e ta respektojnë vendin strehues, madje duhet edhe ta duan e ta mbrojnë.
Imzot Marketo foli edhe për emigrantët e parregullt të cilët, pavarësisht nga gjendja e tyre e jashtligjshme, kanë dinjitetin e tyre, që nuk mund të preket në asnjë situatë. Si pasojë, të drejtat e tyre duhen mbrojtur, nuk duhen injoruar e aq më pak nuk duhen dhunuar. Për Selinë e Shenjtë statusi i emigrantit të parregullt nuk ka të bëjë fare me kriminalitetin. Rrugëzgjidhja më e mirë – tha në përfundim përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë – është ai i bashkëpunimit më të ngushtë ndërkombëtar për t’ia prerë rrugën emigracionit të parregullt e për t’ia hapur shtigjet emigracionit të rregullt të njerëzve, që kërkojnë një jetë më të mirë, duke respektuar plotësisht detyrat e tyre si emigrantë.







All the contents on this site are copyrighted ©.