Më 11 korrik Kisha kremton Shën Benediktin Abat, Pajtor i Evropës.
(11.07.2007 RV)"Që për njerëzit
e sotëm … të jetë i pacënueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës
e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë, e shpallëm
Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me këto fjalë Papa Pali VI, më 24 tetor
1964, nga Montekasino, ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar
prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte
kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin mesazhin e
tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të
shekullit VI, themeluesit të monakizmit përendimor, si Pajtor qiellor i Evropës. Ndonëse
dita e lindjes së Shenjtit për qiell është 21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet
sot, sepse marsi përkon me krezhëmt. Gjithsesi murgjërit benediktinë ia kremtojnë
të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të shpalljes Pajtor i Evropës. Në letrën
apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte edhe arsyet
e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli i Zotit,
pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën Benediktin si "Babai i Evropës" dhe vetë Gjoni
XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër këtë ditë. Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës
Montini: "Ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur
zhyteshin në errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore,
ai, me impenjimin e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë
agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët
që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi;
nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë. Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit,
siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar
atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme,
ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit. Me libër, pastaj,
domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire morën emër
e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte
të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive
të ardhshme, kultin e diturisë. Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin
e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia
doli mbanesh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara;
e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora"
- "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm. Më
27 prill 2005, në audiencën e parë të përgjithshme të papnisë së Tij, duke i ftuar
besimtarët ta ndjekin e ta mbështesin me lutje, Papa Benedikti XVI shpjegoi pse e
zgjodhi emrin që mban tani: “Desha të quhesha Benedikti XVI për t’u lidhur përsëri
shpirtërisht me të nderuarin Papën Benedikti XV, i cili e udhëhoqi Kishën në një periudhë
të trazuar për shkak të konfliktit të parë botëror. Por gati njëmijë vjet më parë,
një tjetër Benedikt ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinetit të Vjetër: Benedikti nga
Norçia, qytezë në Umbria të Italisë. Me urdhërin e tij murgar, “Patriarku i monakizmit
përendimor”, më pas bashkëpajtor i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim
të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj –
shpjegoi Ati i Shenjtë - Shën Benedikti është tepër i nderuar në Gjermani e posaçërisht
në Bavari, në tokën ku kam lindur. Shenjti përbën një pikë themelore referimi për
bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët
e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj. Prandaj në fillim të shërbimit
tim si pasardhës i Shën Pjetrit, i lutem Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë
të patundur qëndërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në
mendimet tona e në veprimtaritë tona” - nënvizoi Papa Benedikti XVI në audiencën e
parë të papnisë. Mbetet tepër aktual Shën Benedikti. Si dikur me dritën qytetërimit
të krishterë ia mbërrijti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë dhuratën e paqes,
kështu edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që Evropa të zhvillohet,
të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt që i përkasin e që dëshirojnë
të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me pendë e parmendë!