2007-07-11 18:39:30

Kardinajtë dhe ipeshkvijtë në vende të ndryshme e mirëpresin Motu Proprion ‘Summorum Pontificum’ të Benediktit XVI.


(11.07.2007 RV)Pas një leximi të vëmendshëm, kardinajtë e ipeshkvijtë e vendeve të ndryshme shprehën miratimin e tyre të plotë për Motu Proprion ‘Summorum Pontificum’ që do të hyjë në fuqi më 14 shtatorin e vitit në vijim. Dokumenti papnor, i paraqitur këto ditë në dioqeza të ndryshme, shikohet nga Konferencat ipeshkvnore si mjet që mund të favorizojë bashkimin në Kishë.
Ipeshkvijtë e Anglisë e Uellsit theksuan rëndësinë e unitetit të brendshëm të Kishës në kremtimin e Eukaristisë, që Benedikti XVI e nënvizoi përmes Motu Proprios dhe letrës që e shoqëron.
Për kardinalin Kormak Myrfi-O’Konorr, ndonëse mund të hasen disa vështirësi në kremtimin e Eukaristisë me Ritin Tridentin e sipas Mesharit Romak të 1962-shit, rregullat e Motu Proprios janë plotësisht të qarta.
Benedikti XVI e ka shumë për zemër unitetin e Kishës – pohoi kardinali Zhan-Pierr Rikard, kryeipeshkëv i Bordosë, në Francë. Papa dëshiron të nxisë pajtimin e njëkohësisht, ta pajtojë Kishën me të kaluarën e vet liturgjike. Nuk është fjala për ritualizëm të dyfishtë, por për të njëjtin rit, që mund të kremtohet në dy forma.
Kardinali Telesfor Plaçidus Toppo, kryeipeshkëv i Rankit e kryetar i Konferencës ipeshkvnore indiane, pohon se dokumenti papnor nuk do të krijojë asnjë problem të veçantë në Indi, madje mund të ndihmojë për të ulur tensionet në disa bashkësi katolike, si për shembull në atë të ritit siro-malabarez, të ndarë në grupin e tradicionalistëve e grupin e atyre që duan t’i qëndrojnë ngushtësisht besnikë Koncilit II të Vatikanit. Prandaj Hirësia e Tij mendon se Letra e Papës do të jetë burim harmonie.
Për imzot Kurt Koh, kryetar i Konferencës ipeshkvnore zvicerane, duhet përtrirë vetëdija liturgjike, për të përceptuar identitetin dhe unitetin e historisë liturgjike në shumllojshmërinë e saj historike. Sipas prelatit, ritet e ndryshme mund të bashkëjetojnë, vetëm në se përkojnë e pranohen.
Së fundi, ipeshkvijtë hollandezë e shikojnë Motu Proprion si reflektim shpirtëror të pasur e të thellë mbi traditën e Kishës, e cila kremton për të lavdëruar e për të falënderuar Hyjin, e jo si mohim të liturgjisë së Koncilit II të Vatikanit, sepse Meshari Romak i 1962-shit dhe Riti Tridentin janë shprehje të të njëjtit dinjitet të traditës liturgjike të Kishës katolike romake.







All the contents on this site are copyrighted ©.