Shenjtorët e ditës: Shën Rufina e Seconda, martire.
(10.07.2007)Të dhënat që kemi për martirizimin e Rufinës e të Sekondës përkojnë
plotësisht. Të dënuara, nën Valerianin e Galenin, nga prefekti Gjunio Donati, u martirizuan
në Romë në miljen e dhjetë të rrugës Kornelia. Sipas traditës, shenjtoret ishin motra
e të fejuara me dy të rinj të krishterë. Pasi të fejuarit e mohuan fenë, vashat bënë
kushtin e virgjërisë së përjetshme, gjë që të rinjtë nuk deshën ta pranojnë në asnjë
mënyrë. Si nuk ia dolën mbanesh t’i bënin për të hequr dorë nga feja, e aq më pak
nga kushti i virgjërisë, të rinjtë i paditën ish-të fejuarat si të krishtera. E ato
e pranuan publikisht fenë në Krishtin. I çuan, atëhere, në miljen e dhjetë të rrugës
Kornelia, në një zonë të quajtur Buxo (sot Boçea), ku Rufinës i prenë kokën, ndërsa
Sekondën e rrahën për vdekje. Kjo skenë, e pikturuar nga tre piktorë të shquar, ruhet
në Pinakotekën e Brerës, në Milano. Trupat e virgjërave u lanë mbi dhe që të shqyheshin
nga egërsirat, por një matronë romake, me emrin Plautila, si i pa në ëndër martiret,
të cilat i treguan vendin e martirizmit, i mori reliket e tyre e i varrosi me nderim
të thellë, duke u kthyer menjëherë në fenë e virgjërave –martire.Mbi varrin e tyre
që në shekullin IV Papa Juli I (341-353) lartoi një bazilikë, që u rindreq më pas
nga Papa Adriani I (772-795), ndërsa Papa Leoni IV (847-855) e pasuroi me dhurata
artistike të denja për emrin e martireve.