2007-07-09 17:55:56

Përkujtojmë më 9 korrik, 83-vjetorin e lindjes së monsinjor Nikollë Minit.


(09.07.2007 RV)Lindi më 9 korrik 1924, në Ferizaj. Ishte më i vogli ndër katër fëmijët, që Zoti u fali prindërve, Kolë Mini dhe Monika Kajtazi.
Shumë shpejt mbeti jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Fëmijë i mençur, jashtzakonisht i shkathët, tërhoqi vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrendit e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike.
U shugurua meshtar njëherësh me Don Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet shqiptarëve me emrin Dom Mila, në vitin 1950. Nisi menjëherë shërbimin meshtarak kudo e kërkoi Kisha: nga Shenjtnorja e Zojës së Crnagorës në Letnicë, në Novoselë të Gjakovës, në Bec, Zym, Velezhë e në katedralen e Prizrendit, ku mbylli sytë më 15 maj 1992 në elter, ndërsa kremtonte Meshën shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin themelor ndaj Kishës, për të cilën ishte përpjekur gjithë jetën.
Figurë poliedrike, Monsinjor Mini u dallua si Meshtar, si ndërtues kishash, organizator i rinisë katolike, mjeshtër i korit kishtar, gojtar, publicist, autor i flepalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës" dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me Imzot Nikë Prelën, i revistës fetare-kulturore "Drita" e cila më vonë pati edhe shtëpinë e vet botuese prej nga dolën shumë botime të reja.Në 11 vjetorin e vdekjes e kujtojmë si njeri që jetoi për Zotin e me Zotin, për popullin e me popullin; si meshtar që jetoi për elterin e mbylli sytë në eltér, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës e të kulturës shqiptare, si model që meriton të ndiqet nga breznitë e reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.