Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot theksoi: ‘Misionarët janë mbartës të paqes’.
(09.07.2007 RV)‘Figura e misionarëve, vlera e pushimit veror, çlodhja ndërmjet
bjeshkëve, rëndësia e sportit si mjet i paqes’. Këto tema preku Papa dje në lutjen
e fundit të Engjëllit të Tënzot para se të fillonte sot pushimet në Dolomitet e Lorencagos
së Kadores. Papa i përshëndeti edhe të rinjtë që kryen shtegtimin tradicional të Kryqit
mbi Malin Adamelo, duke i ftuar më pas të gjithë të rinjtë për takimin në Loreto,
në fillim të muajit shtator. “Vreshti i Zotit kërkon gjithnjë punëtorë të rinj,
që janë pak në krahasim me kërkesat e popullit të Hyjit”. Duke komentuar Ungjillin
e së dielës, që tregon sesi Jezusi i dërgoi shatëdhjetë e dy nxënësit e vet nëpër
fshtarat, ku do të shkonte për të predikuar, Papa vuri në dukje se misioni nuk u përket
vetëm Dymbëdhjetë Apostujve: “Ka punë për të gjithë në arën e Hyjit. Po Krishti
nuk mjaftohet vetëm t’i dërgojë misionarët: u jep edhe këshilla të qarta sesi duhet
të sillen. Sidomos i nis dy nga dy, që ta ndihmojnë njëri-tjetrin e të japin dëshminë
e dashurisë vëllazërore. I paralajmëron se do të jenë “si qengjat në mes të ujqërve;
prandaj, pavarësisht nga të gjitha, duhet të jenë paqësorë e të çojnë në çdo situatë
mesazhin e paqes; nuk do të kenë me vete rroba as para, sepse do të jetojnë me çka
t’u japë Provania Hyjnore; do të kujdesen për të sëmurët, si shenjë e mëshirës së
Zotit; do të largohen prej njerëzve që nuk do t’i pranojnë, por duke u kujtuar se
kanë përgjegjësi për mospranimin e mbretërisë së Hyjit”. Si e përfundoi mendimin
shpirtëror, Benedikti XVI u kujtoi mijëra besimtarëve të mbledhur poshtë dritares
së tij në Sheshin e Shën Pjetrit se do të nisej për pushime në bjeshkët beluneze
të Lorencagos së Kadores, ku ka kaluar dy herë pushimet Gjon Pali II. “Ajri i bjeshkës
do më bëjë mirë – tha Papa – e shpresoj se do të mund t’i kushtohem më lirisht reflektimit
e lutjes. “I uroj të gjithë, posaçërisht ata që kanë më shumë nevojë, të mund
të pushojnë sadopak, për të rikalitur energjitë fizike e shpirtërore e për të shëtitur
në gjirin e shëndetshëm të natyrës. Mali, posaçërisht, të kujton ngjitjen e shpirtit
drejt lartësive, drejt ‘majave të larta’ të natyrës sonë njerëzore, në sa për fat
të keq jeta e përditshme përpiqet ta tërheqë poshtë, drejt ultësirave”. Mendimi
për malin i dha Papës shtytjen t’u drejtonte një përshëndetje të veçantë të rinjve
e të rejave të cilët pikërisht në sa ai kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot, me
Meshën e kremtuar në trimijë metra lartësi në Qafën e Lobies, jetonin kulmin e shtegtimit
rinor në Kryqin e Adamelos, masiv alpin ndërmjet provincave të Trentos e të Breshies.
Më pas Papa i ftoi gjithë të rinjtë për një takim shumë të rëndësishëm: ”U rikujtoj
gjithë të rinjve italianë takimin më 1 e 2 shtator në Loreto. Të gjithë juve ju uroj
të dielën të gëzuar e pushime çlodhëse! Mirupafshim!”.Gjatë përshëndetjeve në
pesë gjuhë, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI ripohoi se sportet janë
shenjë që tregon se paqja është e mundshme. E bëri këtë, duke përshëndetur në gjuhën
angleze pjesëmarrësit në turneun e hendbollit “Interamnia World Cup” që sipas programit,
do të zhvillohet në qytetin abrucez të Teramos. Pjesëmarrësit në këtë takim – kujtoi
Papa – vijnë nga më se njëqind vende të ndryshme, disa nga të cilat janë në konflikt
ndërmjet tyre. Prej këndej, ky takim paqësor atletësh – përfundoi Ati i Shenjtë –
është shembull që tregon se sporti mund të sjellë frymën e miqësisë ndërmjet popujve
e kulturave”.