(08.07.2007 RV)Sot, e diela XIV e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Kisha
katolike kremtoi Shenjtorët Eugjeni III papë dhe Aquila e Prishila, nxënës të Shën
Palit. Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Agostin Zhao Rong, meshtar
dhe shokëve të tij, martirë kinezë; e Shën Adrianit III papë; e Shën Veronika Gjulianit,
abateshë, klarise kapuçine. Na nxisin të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi
nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si
na mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë
e ngjall një të vdekur. Liturgjia e së martes na kujton se Jezusi, kudo
shkon, shëron sëmundjet e gjymtimet; turmat rendin pas tij nga të katër anët, ashtu
si delet e lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to. Është
festa e Shenjtoreve Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire. Në përkujtimin
e Shën Benediktit Abat, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi
- e të Shën Piu I papë, që do të kremtohen të mërkurën, nuk mund të mos reflektojmë
mbi simbolikën e hardhisë e të shermendëve, që na kujton se pa Jezusin, nuk mund të
arrijmë kurrfarë suksesi. E kjo, sepse shermendi nuk mund të japë fryte i shkëputur
nga hardhia. Kështu edhe nxënësi, i shkëputur nga Krishti. Kujtojmë se në Shqipëri
Shën Benediktin e kremtojnë Motrat Benediktine të Provanisë Hyjnore. Bashkësia
apostolike e kupton mirëfilli se Jezusi i ka besuar misionin vet për ndërtimin e mbretërisë
së Hyjit, që përkon me shëlbimin e njerëzimit. Këtë na kujtojnëShën Gjon Gualberti,
abat, themlues i Valombrozanëve dhe Shenjtorët Nabori e Feliçi, martirë milanezë,
të cilët do të përkujtohen të enjten. Shën Gjonin në Shqipëri e kremtojnë sidomos
motrat servite. Të premten e ardhshme është festa e Shën Enrikut II
perandor; e Shën Esdrës, skribë dhe e Shën Silës, nxënës i Shën Palit. Na kujtojnë
se misioni i nxënësit nuk është aspak i lehtë. Ai duhet ta konsiderojë veten pikërisht
si delja në mes të ujqërve, sepse deri familjarët më të ngushtë mund të shndërrohen
papritmas në armiq për vdekje. Do t’i duhet kështu të ndeshet vazhdimisht me urrejtjen,
që s’dihet nga ç’anë vjen. Por nxënësi është i vetëdijshëm se forca e tij është Shpirti
i Atit qiellor. Të shtunën do të përkujtohet Shën Kamili de Lelis, meshtar,
themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve, që kremtohet në mbarë botën, e edhe në Shqipëri,
nga Motrat mbarështuese të të sëmurëve, siç quhen sot rregulltaret kamiliane në shërbim
të spitaleve. Na kujton se nxënësi duhet t’i ngjajë mësuesit, që diti të përballojë
edhe vdekjen. Ajo që ka rëndësi është që Jezusi ta njohë si nxënës të vërtetë para
Atit të Tij që është në qiell.