2007-07-07 16:48:37

Nesër Papa fillon pushimet verore në Lorencago të Kadores.


(08.07.2007 RV)Sot në Lorencago të Kadorës u organizua një procesion me qirinj të ndezur për të përkujtuar pushimet e para të Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II në zonën kadorine. Procesionin e kryesoi don Françeko Silvestri, asistent i Veprimit Katolik të Belluno-Feltres.
E në sa Lorenzago kujton Gjon Palin II, përgatitet për të pritur Benediktin XVI. Për ta organizuar sa më mirë këtë pritje është krijuar një Komitet me përfaqësues vullnetarë të komunës e të famullisë së Shenjtorëve Ermagora e Fortunato, që ka përgatitur edhe një kalendar për kremtimet, kohët e lutjes dhe takimet kulturore, duke i sensibilizuar kështu të gjithë qytetarët për ardhjen e mikut të madh. Bashkësia e krishterë e Lorenzagos shikon tek Benedikti XVI sidomos pasardhësin e Shën Pjetrit, që në Kishën universale ka detyrën t’i përforcojë besimtarët në fe.
Ndërkaq dioqeza e Trevizos po i jep dorën e fundit përgatitjes së banesës, ku nesër Ati i Shenjtë do të fillojë periudhën e pushimeve verore. E kjo, sepse shtëpia ku do të strehohet Papa Racinger, pranë Kështjellës së Mirabelës, që do të përbujë trupën e gjendarmerisë së tij personale, është pikërisht e Dioqezës së Trevizos.
Benedikti XVI do të pushojë në të njëjtën vilëz, ku pati pushuar gjashtë vera me radhë Gjon Pali II, e pikërisht në vitet 1987-1988, 1992-1993, 1996, 1998. Pasi i ka kaluar dy herë rresht pushimet në Lë Kombë të Vale d’Aostës, sivjet Benedikti XVI do të shkojë në Kadore, në përkujtim të njëzetvjetorit të vizitës së parë të Gjon Palit II në këto vise të mrekullueshme malore, që i kanë kushtuar Papës Vojtila një monumet artistik pikërisht në hyrje të vilës ku pati pushuar. Ati i Shenjtë do të niset me automobil nga Vatikani në orën 10 të ditës së hënë drejt Aeroportit të Çampinos, prej nga do të fluturojë në aeroportin Trevizo- Istrana. Më pas do ta vijojë udhëtimin me helikopter për në Lorenzago, ku pritet të arrijë rreth orës 12. 00. Papa do të pushojë në Lorencago të Kadores nga 9 deri më 27 korrik.
Përsa i përket lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë do ta kremtojë të dielën, më 15 korrik, nga selia e Kështjellës së Mirabelës; ndërsa të dielën, më 22 korrik, nga Sheshi Kalvi i Lorencagos.
Sipas parashikimit, Benedikti XVI do të kthehet në Kastel Gandolfo në mbrëmjen e 27 korrikut.Gjatë kësaj periudhe audiencat e përgjithshme të së mërkurës të datave 11, 18 e 25 korrik do të ndërpriten, për të rifilluar të mërkurën, më 1 gusht, në orën 10. 00. Ndërpriten, gjithashtu, të gjitha audiencat private e të posaçme.







All the contents on this site are copyrighted ©.