2007-07-06 18:59:46

Në fjalimin para Këshillit ekonomik e shoqëror të OKB-së, Kryeipeshkvi Tomazi i ftoi të gjithë të thellojnë luftën kundër varfërisë.


(06.07.2007 RV)“Ndihma në nivel lokal për të krijuar vende të reja pune dhe fuqizimi i sistemeve ekonomike, edukative e shëndetësore në vendet e varfëra”: kjo duhet të jetë strategjia për të luftuar varfërinë në shoqërinë e globalizuar, sipas vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës, kryeipeshkvit Silvano Tomazi. Duke folur këto ditë në sesionin e Këshillit ekonomik e shoqëror të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC), prelati nënvizoi se vendet e industrializuara duhet t’i analizojnë më me vëmendje shkaqet e gabimet që i kanë penguar deri tani të arrijnë në zgjidhjen e një problemi kaq të mprehtë, që nuk mund të presë.
Një nga strategjitë që mund të ndihmojë për këtë zgjidhje, është përpjekja për të ndryshuar mendësinë në nivel lokal - propozoi kryeipeshkvi Tomazi. Vëzhguesi i Vatikanit citoi fjalët e Benediktit XVI nga Letra e 16 dhjetorit të kaluar, drejtuar kancelares gjermane Angela Merkel, për të nënvizuar çështjen e ngutshme të varfërisë, duke kujtuar se Papa e falënderonte Kancelaren, në emër të Kishës katolike, për vendimin që të mbetej në rendin e ditës të G.8 tema e varfërisë në botë, me vëmendje të përqëndruar posaçërisht tek Afrika. Ati i Shenjtë – vijoi imzot Tomasi – thekson me forcë se çështjes së varfërisë i duhet kushtuar një vëmendje e dorës së parë, si për të mirën e vendeve të varfëra, ashtu edhe të vendeve të pasura.
Duke kujtuar se sot në botë më se një miliard e 400 mijë njerëz jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë, imzot Tomazi pohoi se është urgjente që ndihmat të planifikohen më mirë e të kenë synime më pak të përgjithshme, në mënyrë që të mund të përmirësojnë dukshëm jetën e individëve e të familjeve, në indin shoqëror të të gjithë bashkësisë. Një ndihmë e tillë – theksoi prelati – kërkon të përdoren shumë kanale për shpërndarjen e duhet të arrijë në infrastrukturat e bazës së bashkësisë, duke krijuar vende të reja pune dhe duke fuqizuar sistemin shëndetësor e arsimor.Sipas vëzhguesit të Selisë së Shenjtë, njerëzit e mësuar mund të krijojnë ndërmjet tyre marrëdhënie shoqërore, që nuk bazohen mbi forcën e shpërdorimit, por mbi respektin e miqësinë. Në këto rrethana – vijoi kryeipeshkvi Tomazi – bëhet më e lehtë lufta kundër korrupsionit, një nga plagët më të rënda të vendeve të varfëra, që mund të çojë edhe në humbjen e plotë të besimit tek ndërhyrja e vendeve donatore. Janë të nevojshme, pastaj, edhe marrëveshje të reja ndërkombëtare, që rregullojnë shfrytëzimin e burimeve natyrore, që rivenë në vend fondet publike të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, që kufizojnë tregtinë e armëve dhe i japin fund shpërndarjes së parregullt të ndihmave për bujqësinë. Në se investuesit e huaj duhet të kontribuojnë për zhvillimin ekonomik të vendeve ku kryejnë veprimtarinë e tyre – saktësoi prelati – nga ana tjetër qeveritë e ndryshme duhet t’u sigurojnë kushte të favorshme investimeve etike, duke përfshirë këtu edhe një sistem juridik efikas, një sistem fiskal të qëndrueshëm, mbrojtjen e së drejtës së pronës dhe insfrastrukturat që krijojnë mundësitë për hyrjen e prodhuesve vendas në tregjet zonale e globale. Çrrënjosja e varfërisë – tha në përfundim prelati - është impenjim moral.







All the contents on this site are copyrighted ©.