2007-07-06 18:59:36

Benedikti XVI shpalli dekretet për dy shenjtorë të rinj themelues, për shenjtërimin e një grupi martirësh e për pesë të lum të rinj.


(06.07.2007 RV)RealAudioMP3 Dy shenjtorë themelues institutesh rregulltare, pesë të lum e një grup shenjtorësh, mbytur për shkak të urrejtjes kundër fesë 530 vjet më parë në Itali. Janë disa nga figurat për të cilat Benedikti XVI autorizoi sot shpalljen e dekreteve, duke pritur në audiencë kardinalin Zhozè Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Jetoi ndërmjet fundit të shtatëqindës e gjysmës së tetëqindës i Lumi Gaetano Errino, italian nga Kampanja, meshtar, që themeloi Kongregatën e Zemrës së Krishtit e të Zojës. Dekretet e publikuara sot flasin për një mrekulli të ndodhur me ndërmjetësimin e tij, ashtu si është vërtetuar edhe një mrekulli tjetër, me ndërmjtësimin e së Lumes Maria Bernarda Bytler, zvicerane, themeluese e Kongregatës së Motrave Misionare Françeskane të Zojës Ndihmëtare, vdekur në Kartagjenë të Kolumbisë në vitin 1924.
Emrave të këtyre dy shenjtorëve të ardhshëm, i shtohet edhe i lumi Antonio Primaldo dhe shokët e tij laikë, viktima të martirizimit të 13 gushtit 1480 në Otranto të Pulies.
Ngjarje e largët, po që vijon të kujtohet, nga që martirët e Otrantos derdhën gjakun sepse nuk pranuan ta mohojnë Zotin e tyre. Atë ditë – tregojnë kronikat – qyteti i Otrantos u rrethua nga një flotë turke, e udhëhequr nga admirali i madh i perandorisë otomane, Gedik Ahmed Pasha. Garnizoni aragonas, që mbronte qytetin, nuk mundi t’i bëjë ballë sulmit turk e u detyrua të tërhiqej. Turqit mundën të hyjnë ndërmjet mureve, që mbroheshin vetëm nga qytetarët. Kapën me qindra e vijuan t’i masakrojnë tri ditë me radhë. Ra, ndërmjet tjerëve, edhe ipeshkvi Stefano Pendineli, duke larë me gjak katedralen e tij të famshme për dyshemenë më të bukur mesjetare, stolisur me mozaikë.
Ahmed Pasha dha urdhër të mbyteshin të gjithë meshkujt mbi moshën 15 vjeç, që ishin kapur gjatë pushtimit. Ishin rreth 800 vetë. Më 13 gusht u propozuan të zgjidhnin ndërmjet mohimit të fesë e vdekjes. Sipas traditës, në emër të të gjithëve u përgjigj qethësi plak i dhenëve, Antonio Primaldo, që tha pa i dridhur qerpiku: “Deri tani kemi luftuar për të mbrojtur atdheun tonë, pasuritë tona e jetën tonë: tani na takon të luftojmë për të mbrojtur Jezu Krishtin e për të shpëtuar shpirtrat tonë”. Atëherë, në grupe prej 50 vetësh, i çuan në kodrën, që asokohe quhej “e Minervës”, ndërsa më pas, “Kodra e martirëve”, ku ua prenë kokat. Trupat e tyre u lanë mbi dhe për një vit rresht, deri më 15 gusht 1481, kur të krishterët e çliruan qytetin nga forcat otomane. Atëherë reliket e martirëve, të kthyera dalë-nga–dalë në skelete para syve të tmerruar të qytetarëve, u mbartën e u varrosen me nderim të thellë. E tani pas pak kohe do të nderohen si relike shenjtorësh.
Ndërsa të lumët e ardhshëm do të jenë pesë: katër gra – ndër të cilat dy themeluese institutesh rregulltare, një murgeshë polake e një italiane si dhe Zefirino Namunkura, i ri salezian nga Patagonia, që vdiq në Romë në vitin 1905 në moshën 19 vjeçare. Në Dokumentin e shpallur nga Papa flitet edhe për virtytet heroike të pesë grave e tre burrave, ndërmjet të cilëve spikat emri i kardinalit venecian, Marko Antonio Barbarigo, ipeshkëv i Montefiaskones e Kornetos, Tarkuinia e sotme, që jetoi ndërmjet 1700-tës e 1800-tës. Ndër gratë e këtij grupi, figurojnë tri themeluese familjesh rregulltare: Injacja e Shpirtit Shenjt, themeluese e Kongregatës së Zojës së Bekuar, vdekur në Filipine; Leopoldina Naudet, themeluese e Kongregatës së Familjes Shenjte të Veronës, ku edhe vdiq në vitin 1834 dhe gjermanja Hildegarda Burjan, nënë familjeje e themeluese e Motrave të Bamirësisë Shoqërore, vdekur në Vjenë në qershor të vitit 1933.







All the contents on this site are copyrighted ©.