2007-07-05 17:20:36

Kisha britanike ndjek me vëmendje hapat e para të qeverisë Braun.


(05.07.2007 RV)RealAudioMP3 Britania e Madhe duhet qeverisur ndryshe, mbi bazën e një Kushtetute të shkruar. Ky është një nga propozimet e hapave të para politike të kryeministrit britanik, Gordon Braun, i cili njoftoi se do të bëjë një seri modifikimesh lidhur me praktikën e marrjes së vendimeve nga ana e qeverisë. Edhe Kisha katolike i shikon me vëmendje hapat e para të qeverisë së re. Në qeverinë e mëparshme të Blerit, disa ligje, siç është bie fjala ai i hapjes së rrugës për bijësimin e fëmijëve nga ana e çifteve homoseksuale, ose ai që imponon kontrollin mbi shkollat fetare për shkaqe sigurie, janë pritur me shqetësime të shumta. Për këto tema, kërkuam mendimin e kardinalit Kormak Myrfi O’Konorr, kryeipeshkëv i Uestminsterit:Përgjigje: - Ka përparësi të dukshme në hapat e para të veprimtarisë së kryeministrit. Braun do të përpiqet të ruajë vazhimësinë me pararendësin, duke ndryshuar prej tij. Sidoqoftë, njerëzit kërkojnë ndryshime në fushën e shëndetësisë e të arsimit: unë vetë do t’i kërkoj ndërhyrje në sektorë si familja, madje do t’i kërkoj gjithë ndihmën dhe mbështetjen që mund të japë, në mënyrë që familja të zërë vendin e parë në jetën shoqërore të Britanisë së Madhe. Jam i bindur se zëri i Kishës do të ngrihet së bashku me atë të shumë të tjerëve, në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, të familjes, por edhe për lirinë e praktikimit të fesë nga ana e të krishterëve dhe besimtarëve të feve të ndryshme në shoqërinë tonë të shekullarizuar, duke pasur parasysh se praktikimi i lirë i fesë shkon krah për krah me kontributin në jetën publike, në shërbim të së mirës së përbashkët.
Pyetje: - Ka pasur tensione të forta me qeverinë muajt e kaluar. Ju ç’mendoni për marrëdhëniet aktuale ndërmjet Kishës katolike në veçanti e qeverisë?
Përgjigje: - Po. Ka pasur tensione vërtetë të forta kohët e fundit lidhur me agjensitë e bijësimeve e me shkollat, dmth me rrezikun e kontrollit të plotë të qeverisë mbi shkollat tona. Në një farë mënyre, këto dy pika prekin dy parime tepër të rëndësishme. Çështja e agjensive të bijësimit prek në zemër përparësinë e familjes, të konceptit katolik lidhur me mënyrën më të mirë të edukimit të fëmijëve si dhe bindjen tonë se t’u njohësh çifteve homoseksuale të njëjtin status që kanë çiftet heteroseksuale, nuk është aspak e drejtë. Kjo është tepër e rëndësishme e ne e kemi thënë qartë. Besoj, prandaj, se një numër i madh njerëzish në Britaninë e Madhe duhet të jetë dakord me këtë. Kjo nuk do të thotë të jesh homofob, sepse nuk jemi të tillë, por gjithsesi disa gjëra është e nevojshme të afirmohen. Është e pranueshme që nuk ka diskriminim përsa u përket të drejtave të homoseksualëve, por njëkohësisht nuk duhen diskriminuar as bazat e fesë, e sidomos të Kishës katolike. Problem tjetër është ai i shkollave katolike, e jo vetëm për çështjen e edukimit të fëmijëve të pagëzuar, por, po e përsëris edhe një herë – për rëndësinë lidhur me të mirën e përbashkët. Fëmijët, të rinjtë – vajza e djem – formohen mrekullisht mirë në shkollat katolike. E ky formim i përgjithshëm vlen jo vetëm për ta, por për të gjithë, sepse këta të rinj do të japin kontributin e tyre për të mirën e përbashkët: përgatiten për të qenë nënshtetas të mirë, gjithnjë në shërbim të zhvillimit pozitiv të vendit tonë. Prandaj nuk do të më pëlqente aspak në se kryeministri do të kërkojë t’i kufizojë ose t’i mbyllë fare shkollat katolike. Një veprim i tillë nuk do të më dukej aspak i urtë. Kryeministrin e ri e kam takuar disa herë dhe e nderoj shumë, posaçërisht për impenjimin e tij lidhur me lehtësimin e varfërisë së fëmijëve e të rriturve, e jo vetëm ‘në shtëpinë tonë’ por edhe në Afrikë. Do të më pëlqente shumë që ai ta bëjë Britaninë e Madhe shembull për gjithë vendet e pasura që duan të kontribuojnë më shumë se kanë bërë deri tani, për ta lehtësuar barrën e varfërisë në vendet ku jetojnë njerëzit më të varfër të botës, posaçërisht në Afrikë, por edhe gjetiu. Përgjithësisht, kam shpresa të mëdha për këtë detyrë që trashëgoi Braun. E zgjodhën të gjithë njëzëri, pa asnjë kundërshtim: mendoj se ardhmëria është me të, e me të është edhe urimi e lutja ime.







All the contents on this site are copyrighted ©.