2007-07-04 18:22:46

Të jeni dëshmitarë të guximshëm të dashurisë së Krishtit: mesazh i Benediktit XVI drejtuar të rinjve për Ditën e tyre Botërore 2008, në Sidnei.


(04.07.2007 RV)RealAudioMP3 “Ta dëshmoni me guxim dashurinë e Krishtit! – është thirrja që Benedikti XVI u drejtoi të rinjve gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, lidhur me kremtimin e Ditës Botërore të Rinisë. Ishte i pranishëm kryeipeshkvi i Sidneit, kardinali George Pel, në krye të një delegacioni australian, që po organizon Ditën Botërore të Rinisë e që do të shpërndajë kudo në botë edhe mesazhin e Papës.
Ndërsa katekizmin Ati i Shenjtë ia kushtoi shembullit të mahnitshëm, me vlerë si dje, ashtu edhe sot, të ipeshkvit të madh, bariut të dashur, mësuesit të monakizmit, Shën Bazilit, që jetoi në shekullin IV.
Një vit para takimit të Sidneit, në Australi, qytet që do të mikpresë në gushtin e 2008-tës të rinj nga mbarë bota për Ditën e tyre Botërore, Benedikti XVI ngriti zërin në Sallën e Palit VI në Vatikan, për të kujtuar se kjo ditë, më shumë se ngjarje, është kohë e përtëritjes shpirtërore, frytet e së cilës do t’i gëzojë mbarë shoqëria.
Të rinjve të pranishëm dhe gjithë të rinjve të botës, që po përgatiten për këtë takim gazmor feje, dëshiroj t’u them një fjalë të ngrohtë përshëndetjeje e një inkurajim të dalë nga zemra” – tha Papa e, më pas, në gjuhën angleze, u drejtoi të rinjve mesazhin:
“I want to encourage you to prepare well for this marvellous celebration… “
Dua t’ju inkurajoj – nënvizoi Ati i Shenjtë – ta përgatisni mirë këtë kremtim të mrekullueshëm feje, që do ta jetoni në shoqëri me ipeshkvijtë, me meshtarët, me rregulltarët, me prijësit tuaj të rinj e me çdo pjesëmarrës tjetër. E, prej këndej, buroi edhe ftesa për të hyrë në jetën e famullive e për të marrë pjesë gjallërisht në veprimtaritë dioqezane si dhe thirrja për të qenë dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit, ashtu si shumë të rinj që – vërejti Papa – duke iu kundërvënë valës së shekullarizmit, po zbulojnë rrugë të reja të këndshme në kërkim të bukurisë, të mirëqenies e të vertetësisë së njëmendtë.
Mijëra besimtarëve, mbledhur për audiencën e përgjithshme, Ati i Shenjtë u foli për Shën Bazilin, ipeshkëv i Çezaresë së Kapadoçies, vdekur në vitin e largët 379 pa i mbushur ende 50 vjetët, pas një jete kushtuar shenjtërisë e diturisë, në shërbimin besnik ndaj Kishës e në ushtrimin shumëformësh të shërbimit ipeshkvnor:
“Përmes predikimit dhe shkrimeve të tij, zhvilloi një veprimtari të jashtzakonshme baritore, teologjike e letrare. Njeri i peshuar e i urtë, diti të harmonizojë veprimtarinë në shërbim të shpirtrave me lutjen e meditimin në vetmi”.
Bazili u kujdes gjithnjë për të varfërit e të braktisurit, duke ndërmjetësuar edhe pranë qeveritarëve për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë: ndërtoi strehë të tilla për nevojtarët, që mund të shërbejnë si model për spitalet moderne; mbrojti lirinë e Kishës, duke iu kundërvënë hapur, kur ishte nevoja, njerëzve më të pushtetshëm. Reformator i urtë liturgjik, diti t’u kundërvihet me zell e guxim edhe heretikëve. Realizoi, kështu, një program të tërë, të cilin ipeshkvi i shenjtë ua dorëzon – tha në përfundim Papa, kumtuesve të Fjalës së Zotit, sepse ka vlerë jo vetëm për dje, por edhe për sot.Në përshëndetjet përfundimtare në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi posaçërisht disa Kongregata, që në këto ditë janë mbledhur për Kapitujt e tyre të përgjithshëm, e pikërisht Motrat Bija të Kishës; Motrat e Institutit të Mësueseve të Përshpirtshme Filipini, me mision edhe në Shqipëri, Bijat e Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit dhe Motrat e Shën Jozefit të Dukjeve. Në fund kujtoi edhe të Lumin Pjergjorgjio Frasati, që u festua në liturgjinë e sotme.







All the contents on this site are copyrighted ©.