2007-07-04 18:23:20

Manifestim i organizuar nga Magdi Allam kundër persekutimit të të krishterëve në Lindjen e Mesme. Opinioni i jezuitit Samir Khalil Samir.


(04.07.2007 RV)RealAudioMP3 Njëkohësisht me transmetimin tonë, në Sheshin romak të Shenjtorëve Apostuj filloi manifestimi kombëtar italian, organizuar nga zevendës-drejtori i gazetës ‘Corriere della Sera’ Magdi Allam, kundër ikjes dhe persekutimit të të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe në mbrojtje të lirisë fetare në mbarë botën.
Për këtë manifestim kaq domethënës flet, në mikrofonin tonë, Atë Samir Khalil Samir, jezuit, profesor i Islamologjisë pranë Universitetit të Shën Jozefit në Beirut e Institutit Papnor Lindor të Romës:
“Kjo nismë e Magdi Allam-it është shumë pozitive, edhe pse jo e parrezikshme. Rreziku qëndron në faktin se ky rast mund të tingëllojë si kritikë kundër mbarë Islamit ndërsa, sipas meje, do të ishte e arsyeshme kritika kundër një tipi të veçantë të islamit aktual. Po jetojmë, prej tridhjetë vjetësh e ndoshta edhe më shumë, në një fazë intolerance e regresi në botën islamike. Këtë duhet të kritikojmë, duke vënë në plan të parë format e ndryshme të intolerancës, në këtë rast, kundër të krishterëve, kundër njerëzve më të ligësht. Po jetojmë një kohë kthimi prapa, sepse ideologjia, e cila përhapet çdo ditë e më shumë, është ajo që në arabisht quhet “salafita” e që pretendon t’u imponojë të gjithëve, duke filluar nga myslimanët, modelin e lashtë të islamit, i cili konsiderohet si model ideal. Kjo është një formë e papranueshme intolerance e, në këtë pikë, duhet të jemi plotësisht të qartë: nuk mund të tolerohet kjo formë e islamit. Vetë myslimanët duhet të luftojnë jo kundër islamit, por kundër asaj që ne e quajmë në arabisht ‘islamizëm’.Rreziku tjetër i këtij manifestimi qëndron në politizimin e tij të mundshëm: është rrezik, sepse të shtyn të mendosh se po bëhet një kryqëzatë, në se mund të shprehemi kështu, e Perëndimit kundër Islamit, gjë që të çon në konceptin e ndeshjes ndërmjet qytetërimeve. Kemi ndeshje kundër intolerancës, kundër formës fanatike të islamit, por kjo krijon rrezikun që të tjerët, pastaj, të bëjnë manifestime, të themi, në favor të Perëndimit, të SHBA ose të Izraelit. E kjo duhet të shmanget në mënyrë absolute, duke pasur parasysh se një nga arsyet që nxit fanatizmin islamik, është pikërisht sjellja e disa vendeve perëndimore, siç është, për shembull, prej disa dekadash, sjellja e Izraelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.