2007-07-03 18:15:29

Pritjet dhe shpresat e Kishës në Republikën Dominikane, në audiencën e Papës me ipeshkvijtë e vendit karaibik, në vizitë ‘ad Limina Apostolorum’.


(03.07.2007 RV)RealAudioMP3 Me rastin e vizitës ‘ad Limina’ të ipeshkvijve dominikanë, të cilët dje filluan audiencat me Papën, po flasim sot për shpresat e mëdha me të cilat Kisha e Republikës dominikane i shikon mundësitë e zhvillimit të saj e të vendit ku kryen misionin, në të ardhmen.
“Bashkësi plot gjallëri, dinamike, fuqimisht e pranishme në të gjitha fushat e jetës në vend, që duhet e respektohet nga populli e që, prandaj, konsiderohet institucioni më i besueshëm i kombit”. Kjo është fotografia e Kishës dominikane, e paraqitur nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Ramon Benito De La Roza I Carpio. Duke folur, majin e kaluar në Aparesida të Brazilit, gjatë Konferencës V të Përgjithshme të Episkopatit Latinoamerikan, prelati vuri në dukje dritë-hijet e një çasti të rëndësishëm historik, që shënon konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e vrullshëm ekonomik në shumë sektorë, por nuk arrin dot t’i zgjidhë problemet e rënda shoqërore, që bëhen edhe më shqetësuese për shkak të procesit të globalizimit. Është fjala për humbjen e vlerave, shpërbërjen e familjes, thellimin e pabarazisë, korrupsionin politik, emigrimin e brendshëm e të jashtëm, kriminalitetin, përhapjen e drogës e tregtimin e saj.
Republika dominikane, ish-koloni spanjolle, e pavarur që nga viti 1844, është pushtuar disa herë prej SHBA nga viti 1916 deri në vitin 1924. Pastaj, për një farë kohe, iu nënshtrua diktaturës së gjeneralit Rafael Truhiljo. Ndërsa në fillim të viteve ’60, u shënuan disa grushte shteti, që degjeneruan në luftë civile, për të arritur, më pas, në formën e sotme republikane të qeverisjes, sanksionuar nga Kushtetuta e vitit 1966. Sot në krye të Republikës është Leonel Fernandez Rejna, president e kryeministër, i zgjedhur në vitin 2004.Përballë problemeve dhe sfidave shqetësuese të modernitetit, prelatët e ndjejnë fort mungesën e pranisë së laikëve në fushën e kulturës, të politikës, të ekonomisë, të arsimit e të bioetikës. Posaçërisht përpiqen të gjejnë rrugë të reja për ungjillëzimin e kulturës e për veprimtarinë baritore urbane, sidomos në gjirin e shtresave të mesme e të pasura, e po ashtu edhe në gjirin e të rinjve, për t’ua kuptuar problemet e për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tyre. Në plan të parë, edhe reflektimi për formimin e meshtarëve të tillë, të cilët i kryejnë si duhet detyrat e shërbimit që u është besuar. Së fundi, më kryesorja, për të vënë gjithnjë në qendër të vëmendjes, kujdesin për të varfërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.