2007-07-03 18:15:50

Një llambë, simbol solidaritetiti me Kishat dhe banorët e Lindjes së Mesme. E ndezi sot në Vatikan imzot Leonardo Sandri.


(03.07.2007 RV)“Dëshira për paqe nuk duhet të njohë ndalesa as lëshime: individët, institucionet e posaçërisht ata që kanë përgjegjësi e mundësi të posaçme, inkurajohen ta sigurojnë për të gjithë, pa kurrfarë dalllimi”. Kështu u shpreh prefeketi i ri i Kongregatës vatikanase për Kishat Lindore, imzot Leonardo Sandri, ish zevendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij, duke kryesuar sot, në orën 12.00, gjestin simbolik të ndezjes së llambës për paqen në Lindjen e Mesme. Ndezja e llambës para figures së Nënës së Shenjtë të Zotit, në Sallonin e Papëve, pranë Selisë së Kongregatës, u shoqërua me lutjen për rivendosjen e paqes në Tokën Shenjte, në Irak e në Liban, për të mos i harruar këto vende, të përfshira prej kohe në spiralen e dhunës e duke iu përgjigjur kështu konkretisht thirrjeve që kanë bërë për këtë paqe aq të dëshiruar si Gjon Pali II, ashtu edhe Benedikti XVI.
Në kremtim morën pjesë shumë përfaqësues diplomatikë të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, sidomos diplomatë të Lindjes së Mesme.
Sipas imzot Sandrit, vijimi i akteve të dhunës në Lindjen e Mesme, në sa në vendet e tjera njerëzit nisen për pushime të qeta, krijon rrezikun që të kalojnë në plan të dytë vuajtjet e mëdha të sa e sa vëllezërve e motrave. Por, ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radios sonë, vetë imzot Sandrin, të cilin e pyetëm pse u ndez kjo llambë, që do të vijojë të ndriçojë derisa në vendet lindore të marrin fund konfliktet dhe keqkuptimet:RealAudioMP3 Përgjigje: - Që të jetë shenjë e vigjilencës sonë, e vëmendjes sonë, por sidomos, e lutjes sonë, e dëshirës për t’u lutur, për ta shprehur me zë të lartë paaftësinë tonë, pamundësinë tonë për të bërë diçka e për t’iu lutur Hyjit të veprojë në këto rrethana kaq të trishtueshme për ta sjellë paqen. Unë mendoj se, së paku, duhet të sensibilizojmë, së pari në Kongregatën tonë e ata që i përkasin e që punojnë këtu për Kishat Lindore, e pastaj edhe të gjithë ata që kanë po këtë ankth e këtë dëshirë të zjarrtë për paqen. Mendoj, duke parë dritën e llambës, se tani në perëndim fillojnë pushimet e harrohen sadopak vuajtjet e të tjerëve. Po unë dëshroj që kjo llambë të jetë shprehje e vëmendjes sonë për vëllezërit e Lindjes, që provojnë çdo ditë pasojat tragjike të luftës, të përçarjes, të urrejtjes, të atentateve.







All the contents on this site are copyrighted ©.