2007-07-02 18:11:02

Letra e Atit të Shenjtë me rastin e njëqindvjetorit të Skautizmit botëror.


(02.07.2007 RV)100 vjet më parë, në ishullin Braunsi, në Angli, lordi Robert Baden-Pauel organizoi kampin e parë të skautëve në botë. Me rastin e këtij përvjetori, që do të kremtohet më 1 gusht 2007, Benedikti XVI i dërgoi një letër kardinalit Zhan-Pierr Rikard, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Francës, ku menjëherë pas Luftës I Botërore nisi historia e skautizmit katolik, në saje të veprimtarisë së Atë Zhak Sevë, themelues i skautëve francezë.
“Formimi i përgjithshëm i personalitetit të njeriut” – është kjo mundësi – nënvizon Papa – që përmes lojës, veprimtarisë, aventurës, takimit me natyrën, jetës në grup dhe shërbimit ndaj të tjerëve, u jepet pas njëqind vjetësh të gjithë atyre që bashkohen me skautizmin. I fekonduar nga Ungjilli – nënvizon akoma Benedikti XVI – skautizmi nuk është thjeshtë mjedis real i zhvillimit njerëzor, por edhe mjedis i fitimit të pjekurisë shpirtërore e morale si dhe i shtegtimit të vërtetë në rrugën e shenjtërisë.
Kujtojmë se historia e lëvizjes skautiste në Shqipëri nisi në vitet ‘90, e nxitur dhe e organizuar nën kujdesin e Kishës katolike.
Në rrugët e Shqipërisë së veriut e të Shqipërisë së mesme nisën të duken grupet e para të të rinjve, veshur me uniformën sportive të kaltërt e blu, e cila i dallon nga të gjitha grupet tjera që shtegtojnë në gjirin e natyrës. Më pas skautët nisën të organizohen edhe në Administratën Apostolike të Shqipërisë së Jugut, duke përfshirë kështu gjithë territorin kombëtar.Kujtojmë se përgjegjës i grupeve të skautëve me frymëzim katolik në Shiqpëri, është jezuiti, Atë Bertrand, me qendër në Tiranë, e se edhe skautët shqiptarë do ta kremtojnë njëqind vjetorin e themelimit të skautizmit botëror me një sërë nismash e veprimtarish karakteristike për natyrën e lëvizjes së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.