2007-06-30 15:36:09

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(01.07.2007 RV)Sot, e diela XIII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Kisha katolike kremtoi Shenjtorët Juli e Aroni, martirë të Britanisë dhe Shën Aronin, vëllaun e Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Bernardinit dhe Shenjtorëve martirë Procesi, Martiniani e Eutiki. Dishepuj të Jezu Krishtit, ishin gati të paguanin çdo lloj çmimi e të hiqnin dorë nga çdo kërkesë e çdo vlerë, për të mos u ndarë kurrë nga Zoti, të cilin e dëshmuan duke derdhur gjakun për dashuri të Tij.
Liturgjia e së martes na kujton se Shenjtit që kremtohet, Tomës Apostull, feja i dhurohet falas nga Zoti i ngjallur, i cili fiton mbi të gjitha dyshimet e mosbesimet e nxënësit të vet. Me të e si ai jemi të ftuar të shpallim: “Zoti im e Hyji im!” me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij. Të martën e ardhshme është edhe dita e festës së Shën Leonit papë.
Në festën e Shën Izabelës së Portugalisë, që do të kremtohet të mërkurën, liturgjia na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypun padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit.
Të brohorasim së bashku me liturgjinë e festës së Shën Ndout Maria Zakaria, i cili do të kremtohet të enjten: ‘ Të lavdëroj, o Zot, sepse më shëlbove!”. Shenjti themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit, na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit!
Kujtojmë edhe se këtë ditë Bijtë e bijat e Shën Ndout Maria Xakarisë do të jenë në festë. Prej kohe me mision në Shqipëri, sidomos në Shqipërinë veriore, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre në Fushë Milot.
Të premten e ardhshme është festa e Shën Maria Goretit, virgjër e martire, e papëve të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit dhe e së Lumes Maria Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të Shën Pjetrit Klaver. Ungjilli i liturgjisë së festës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farizejtë. Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë shkandullisht larg nga mëshira hyjnore.
Të shtunën do të kremtohen Shën Asti Ipeshkëv i Durrësit dhe Shën Benedikti XI, papë, që na kujtojnë se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pijmë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.