2007-06-30 15:35:17

Një akt që shpreh dashurinë e Papës për Kishën e Kinës: u botua Letra e Benediktit XVI drejtuar katolikëve kinezë.


(30.06.2007 RV)Një dokument i pritur prej kohe, shenjë e dashurisë dhe e afërsisë së Papës për bashkësinë katolike të pranishme në Kinë: me këtë frymë u publikua sot Letra e Benedikti XVI drejtuar ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve laikë të Kishës katolike në Republikën Popullore të Kinës. Dokumenti papnor, që në variantin italisht ka 54 faqe e 20 kapituj, përmban orientime për jetën e Kishës dhe veprimtarinë ungjillëzuese në Kinë, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta që i janë drejtuar Selisë së Shenjtë vitet e fundit. Në një notë, publikuar nga Salla vatikanase e Shtypit, nënvizohet se Letra trajton çështje thjeshtë fetare: nuk është dokument politik, as aktakuzë kundër autoriteteve qeveritare, ndonëse nuk mund t’i injorojë vështirësitë e njohura që përballon çdo ditë Kisha në Kinë. Nota kujton se këto probleme u analizuan në Vatikan nga një Komision i posaçëm. Pastaj, më 19 e 20 janarin e kaluar, Benedikti XVI organizoi një takim, në përfundim të të cilit u përgatit dokumenti i nënshkruar më 27 majin e kaluar, të Dielën e Rrëshajëve. Me këtë Letër, Ati i Shenjtë cakton një Ditë lutjeje për Kishën në Kinë, që do të kremtohet më 24 maj.







All the contents on this site are copyrighted ©.