2007-06-30 15:36:20

Dje u përkujtuan Martirët e parë të Romës.


(01.07.2007)Ishte festa e martirëve të parë të Romës dje, festë së cilës i parapriu hapja e 15 katakombeve në qendër e në jug të Italisë. Katakombet u hapën nga Komisoni Papnor i Arkeologjisë kishtare, me qëllim që besimtarët e shekullit XXI të njihen me dëshminë e besimtarëve të bashkësive të para të krishtera, martirëve të Kishës së parë, që na lanë si trashëgim gjakun e tyre të derdhur për Krishtin.
E e derdhën këtë gjak në rrethana rrënqethëse, tejet tragjike. Disa, të veshur me lëkura egërsirash, iu hodhën qenëve të uritur, të cilët i shqyen sakaq. Të tjerë u kryqëzuan, si Mësuesi Hyjnor. Të tjerë, akoma, u ngulën në hunj e, si u lyen me peshkve, u kthyen në pishtare për të ndriçuar netët romake. Rrëfimi makabër i Kornelio Tacitit, në librin XV të Analeve të tij, përmbledh gjithë këtë mizori, gjithë këto mundime që provuan të krishterët, duke nisur nga 19 korriku i vitit 64 mbas Krishtit, kur në Romë shpërtheu një zjarr i tmerrshëm, që shkrumboi një pjesë të mirë të kryeqytetit të perandorisë, asokohe nën sundimin e zjarrvënësit Neron.
Eshtrat e tyre u mbartën me nderim të thellë e u varrosen në 15 katakombe të krishtera që gjinden në Romë e në Lacio, në Toskanë, në Umbrie, në Kampanjë e në Sicili. Atje flejnë në Tënzonë nën rrugët e banesat, që ngrihen mbi eshtrat e tyre, ku ecin, punojnë e jetojnë njerëzit e shekullit të globalizimit. Njerëz përmbi eshtra, të cilat nga nëndheu tregojnë histori sa të lemerishme, aq heroike e frymëzuese, të cilat vijojnë të përsëriten në anë të ndryshme të botës, sepse Neroni riduket herë në një skaj e herë në një skaj tjetër të Planetit. E bota shqiptare e kupton fare mirë ç’do të thotë të kryqëzohesh e të kthehesh në pishtar simbolik, për të ndriçuar në mes të errësirës së diktaturës, kur njerëzit rrezikohen të rrëzohen, sepse nuk shihet asnjë dritë.
Eshtrat e kampionëve romakë të fesë flejnë ndër sirtaret e hapura në muret e katakombeve, që simbolikisht quhen ‘bujtina’, në sa shpirtat e tyre tashmë gëzojnë jetën e vërtetë, pasi e kaluan me sukses provën e madhe, martirizimin. E pikërisht për ta rikujtuar këtë provim kaq të vështirë, të martën e kaluar në katakombat romake të Shën Kalistit, Komisioni Papnor i Arkeologjisë Kishtare organizoi leximin skenik të biografisë së disa martirëve të epokave e vendeve të ndryshme, duke nisur nga Shën Tarçizi, tek Shën Tomas Mori. Nismë me vlera, tepër aktuale, që na kujton martirët tanë, të cilët u torturuan mizorisht jo shumë kohë më parë, siç qenë torturuar martirët e lashtë: u dogjën me zjarr, u mbytën me korrent elektrik, u flakën në gropat e ujërave të zeza, u vranë pasi u kishin sharruar këmbë e duar, u lanë, të pushkatuar, mbi grumbujt e plehut, që t’i shikonin të gjithë e të tmerroheshin nga pamja e tyre, u zhdukën pa gjurmë nën zajet e lumit Kir a u mbuluan, si u kishin thyer gjithë eshtrat, në gropa të panjohura, në rrethinat e qyteteve të mëdha e të vogla. Në vendin tonë s’ka katakomba, qytete të vdekurish që shtrihen pafund qyteteve të të gjallëve, por gjithsesi nga varret e panjohura nën dheun e trojeve tona, kur e kur ndjehet zëri i atyre që derdhën gjakun në emër të Krishtit, në pritje për t’u lartuar në nderimet e elterit, ashtu si martirët e kohëve të para të krishterimit, sepse dhanë të njëjtën dëshmi për Krishtin. Do të ishte tepër prekës leximi skenik i biografive të martirëve tanë në skenat e varrezave, ku pushojnë në Tënzonë.Këtë na kujtuan dje Martirët e parë të Romës së krishterë!







All the contents on this site are copyrighted ©.