2007-06-29 17:49:35

Palio është simbol i autoritetit të kryeipeshkvit metropolit, në bashkim me Kishën e Romës.


(29.06.2007 RV)Kujtojmë se çdo vit, më 21 janar, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa bekon dy qingja, që i paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre përdoret për endjen e paliove të shenjta, të cilat bekohen nga Papa më 29 qershor, për t'u vendosur, më pas, në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.
Shumë e pasur është simbolika e palios - një fashë leshi e bardhë, e gjërë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qindisur me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi metropolit duhet të marrë nga papa palion.
Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë betimin për besnikëri.
Metropoliti e vë palion vetëm në meshët pontifikale të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo. Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.







All the contents on this site are copyrighted ©.