Në Solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, Benedikti XVI u vuri palion
46 kryeipeshkvijve dhe ripohoi impenjimin ekumenik.
(29.06.2007 RV)Në Solemnitetin
e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, Benedikti XVI ripohoi impenjimin e tij për
kërkimin e bashkimit të plotë të të krishterëve. Edhe më domethënëse – fjalët drejtuar
delegacionit të Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeut I, që ishte i pranishëm
në kremtim. Në homelinë e festës, Ati i Shenjtë vuri theksin mbi unicitetin e
Jezusit, që nuk është thjeshtë profet, por Biri i Hyjit. Në lutjen e Engjëllit
të Tënzot, pastaj, Papa ripohoi rëndësinë e rrugës ekumenike, i drejtoi një përshëndetje
të veçantë Romës, në ditën kur kremton Pajtorët e saj dhe njoftoi se do të shkojë
për vizitë baritore në Napoli, në tetorin e ardhshëm. Në besojmën e Pjetrit, mund
ta ndjejmë se jemi të gjithë një gjë e vetme, pavarësisht nga ndarjet që në rrjedhë
shekujsh e copëzuan unitetin e Kishës, me pasoja që vijojnë edhe sot e kësaj dite.
Në Meshën për Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Benedikti XVI vuri theksin
mbi kërkimin e ‘bashkimit të plotë’, dëshirë e përhershme - kujtoi Papa - e Patrikut
Ekumenik të Kostandinopojës dhe e Ipeshkvit të Romës. Homelia ishte një reflektim
i pasionuar mbi kuptimin e besojmës së Pjetrit, “çast vendimtar në udhën e nxënësve
me Jezusin”. Ati i Shenjtë shpjegoi edhe pse Zoti e mbiquajti Simonin - Çefë, që do
të thotë Pjetër - shkëmb: “Jezusi pohon kështu se mbi këtë shkëmb dëshiron të
themelojë Kishën e vet e, në këtë perspektivë, i jep Pjetrit pushtetin e çilcave (cfr
Mt 16, 17-19). Nga këto rrëfime del qartë se besojma e Pjetrit është e pandashme
nga detyra baritore që i besohet lidhur me grigjën e Krishtit”. Të gjithë ungjilltarët
- kujtoi Ati i Shenjtë – nënvizojnë se Shën Pjetri e shpreh besojmën e tij atëhere
kur Jezusi, pas predikimit në Galile, niset vendosmërisht drejt Jeruzalemit, për
të përmbushur, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, misionin e tij shëlbues. Nxënësit
janë të lidhur ngushtë me këtë vendim: “Jezusi i fton të zgjedhin rrugën që
do t’i dallojë nga turma, për t’u bërë bashkësi njerëzish që besojnë në të, familja
e tij, fillesa e Kishës. Në të vërtetë Jezusin mund ta shikojmë e ta njohim në dy
mënyra: njëra është ajo e turmës, më e cektë; tjetra – e nxënësve – më depërtuese
e më e vërtetë. Me pyetjen e dykuptimtë : “Çka thonë njerëzit, kush jam unë? e “Po
ju, kush thoni se jam?”- Jezusi i fton nxënësit e vet të fitojnë vetëdijen e kësaj
perspektive, që ndryshon nga ajo e turmës”. Njerëzia – vijoi Papa – mendon
se Jezusi është profet. Nuk është pohim i rremë, por nuk mjafton, është i papërshtashëm.
Është e nevojshme – vërejti Shenjtëria e Tij, të hyhet shumë më thellë, të njihet
veçantia e vetjes së Jezusit të Nazaretit, e reja që sjell Krishti. “Edhe sot
është po kështu: shumë i afrohen Jezusit, por duke e parë thjeshtë nga jashtë. Studiuesit
e mëdhenj, që ia njohin lartësinë shpirtërore e morale dhe ndikimin mbi historinë
e njerëzimit, e krahasojnë me Budën, me Konfucin, me Sokratin, me dijetarë e personalitete
të tjerë të mëdhenj të historisë. Por nuk arrijnë të kuptojnë se ai është unik”. Shpesh
- vijoi të reflektonte Papa – Jezusi konsiderohet edhe si një nga themeluesit e mëdhenj
të feve, nga i cili gjithkush mund të marrë diçka, për të formuar bindjet e veta.
Si atëhere, njerëzit kanë opinione të ndryshme për Jezusin e, si atëherë, Jezusi na
e përsërit edhe neve pyetjen: “E ju, kush thoni se jam unë?”. E ne, pikërisht kur
na drejtohet kjo pyetje, duhet të bëjmë tonën përgjigjen e Pjetrit: “Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë!”. Më pas Papa vijoi të fliste për marrëdhëniet personale
ndërmjet Jezusit e Pjetrit si dhe për detyrën që i ngarkoi Zoti, e cila rrënjoset
pikërisht në lidhjen personale që pati Jezusi historik me peshkatarin Simon. Jezusi
i besoi Pjetrit një detyrë të posaçme, duke dalluar në të dhuratën e veçantë të fesë
që i kishte bërë Ati qiellor. Prej këndej buron edhe përvoja unike e Simon Pjetrit: “Paralelizmi
ndërmjet Pjetrit e Palit është kuptimplotë, por nuk mund ta zbehë rëndësinë e udhës
historike të Simonit me Mësuesin e Zotin e tij, që i dha qysh në fillim cilësitë e
shkëmbit, mbi të cilin do të themelonte bashkësinë e tij të re, Kishën”. Papa
kujtoi, më pas, se në Ungjijtë sinoptikë, shpallja e besojmës nga ana e Pjetrit pasohet
gjithnjë nga çasti kur Jezusi kumton mundimet e tij të afërme. Është një kumt, që
e shtyn Pjetrin të kundërshtojë, sepse nuk arrin akoma ta kuptojë Zotin. E megjithatë
është një element themelor, për të cilin Jezusi ngulë këmbë me forcë. Kuptohet, prej
këndej, se ngjarja e kryqit e zbulon kuptimin e vet të plotë, vetëm në se ky njeri,
që pësoi e vdiq në kryq, ishte vërtetë Biri i Hyjit. Rruga drejt lavdisë – vijoi Papa
– është rrugë e ngushtë, shkandulluese për nxënësit e çdo kohe, që në mënyrë të pashmangshme
shtyhen të mendojnë sipas mendjes njerëzore e jo sipas Zotit”. “Edhe sot, si
në kohët e Jezusit, nuk mjafton të kemi besojmën e drejtë të fesë, është e nevojshme
ta mësojmë nga vetë Zoti se ai është shëlbues e se na e tregon rrugën në të cilën
duhet ta ndjekim. Duhet të pohojmë se edhe besimtari e ka të vështirë ta pranojë
kryqin. Instinkti e shtyn t’i largohet e tunduesi, të mendojë se do të ishte më urti
të shpëtosh vetveten, sesa ta humbasësh jetën për hir të besnikërisë e të dashurisë”. Edhe
sot – vijoi të theksonte Benedikti XVI – shumkush e ka tepër të vështirë të pranojë
se Jezusi i njeh vetvetes të njëjtin autoritet që ka Hyji. Vetë nxënësit e tij nuk
arritën ta kuptojnë menjëherë se ai ishte ‘Mesia’; u desh të bënin një udhë të gjatë
në fe, për ta marrë vesh këtë të vërtetë. E prandaj edhe feja jonë paraqitet si shtegtim,
që lind nga pervoja e Jezusit historik, e ka themelin në misterin e Pashkëve, por
duhet të përparojë akoma për virtyt të frymëzimit, që vjen nga Shpirti Shenjt”. Pas
homelisë, Ati i Shenjtë përshëndeti 46 Kryeipeshkvijtë metropolitë, të cilëve pas
pak do t'u dorëzonte palion, shenjë e lidhjes së ngushtë me Selinë e Shën Pjetrit.
Kryeipeshkvijtë ishin nga të katër anët e botës, shprehje e universalitetit të Kishës.
Ati i Shenjtë përshëndeti edhe delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës,
kryesuar nga metropoliti i Francës, Emanuel, që shoqërohej nga metropoliti i Sasimës,
Genadios, sekretar i Komisionit të përbërë ndërkombëtar katoliko-ortodoks për dialogun,
duke i shprehur mirënjohjen Patrikut Ekumenik, Bartolomeut I dhe Sinodit të Shenjtë,
për këtë shenjë të vëllazërisë. Kremtimi solemn përfundoi me lutjen e Papës
tek varri i Shën Pjetrit, në sa bashkësia këndonte ‘Tu es Petrus’.