(29.06.2007 RV)Himni i dashurisë (1 Kor 13, 1-13), shkruar nga Shën Pali Apostull,
i cili u kremtua sot, na mëson se kjo ndjenjë fisnike është më e fuqishme nga të gjitha
e se u jep vlerë të gjitha virtyteve. Njeriu mund t’i njohë të gjitha shkencat e të
gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi malet, po ç’vlerë ka, në se
i mungon dashuria? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë”: 1 Po
t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por po të mos kisha dashurinë, do
të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon. 2 Po
ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po
ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve, por
po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë! 3 Po ta ndaja lëmoshë
mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte
dashuria, nuk do të më vlente asgjë! 4 Dashuria është zemërgjërë, është
e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet me të madh, nuk krenohet 5
nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk
e mban mend të keqen, 6 nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet
të vërtetës. 7 Arsyeton gjithçka, beson gjithçka shpreson gjithçka, duron
gjithçka. 8 Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët
shuhen, njohuritë marrin fund. 9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe
e kufizuar është profecia jonë. 10 Por, kur të arrijë përsosmëria, çka
është e kufizuar do të marrë fund. 11 Kur isha fëmijë flisja si fëmijë, mendoja
si fëmijë, arsyetoja si fëmijë. Kur u bëra njeri i pjekur, flaka çka i përket
fëmijërisë. 12 Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të
errët, por atëherë do të shohim faqe-faqas! Tani njohuria ime është e kufizuar, atëherë
do të njoh plotësisht, siç jam i njohur. 13 Tani, veç, mbetet feja, shpresa e
dashuria -këto të trija- Porse më e madhja ndër to është dashuria.