Delegacioni i Patriarkanës së Konstandinopojës në Romë për solemnitetin e Shenjtorëve
Pjetër e Pal.
(29.06.2007 RV)Për solemnitetin
e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, Pajtorë të qytetit të Romës, vjen çdo vit
një delegacion i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, ndërsa një përfaqësi e
Selisë Apostolike merr pjesë në kremtimet që mbahen në Stamboll më 30 nëntor, në festën
e Shën Andreut. Mbi kuptimin e shkëmbimit të këtyre vizitave, të dëgjojmë, në mikrofonin
e Radio Vatikanit, zevendës-sekretarin e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit
të të krishterëve, monsinjor Eleuterio Fortinon: Përgjigje: - Ishte
një nismë e frytshme në dy drejtime. Së pari, shkëmbimi i vizitave të rregullta ndërmjet
Romës e Kostandinopojës dy herë në vit është rast vërtetë i përshtatshëm edhe për
shkëmbimin e informacioneve, për të mësuar të rejat nga jeta e dyja Kishave si dhe
për koordinimin e nismave. Së dyti, shkëmbimi i vizitave bëhet me rastin e dy festimeve
të Shenjtorëve Pajtorë: Shën Andreut, pajtor i Patriarkanës Ekumenike e Shenjtorëve
Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës. E kjo tregon qartë se orientimi i dialogut i nënshtrohet
lutjes drejtuar Zotit. Është orientim shpirtëror sepse, siç e ka kujtuar edhe Papa
Gjon Pali II – në marrëdhëniet ekumenike duhet që kryet e vendit ta ketë lutja: lutja
jep jetë, lutja drejton, lutja ndihmon. Ky më duket se është kuptimi kryesor: bisedë
e lutje! Pyetje: - Diçka mbi delegacionin e sivjetëm të Patriarkanës Ekumenike? Përgjigje:
- Si zakonisht, Patriku Ekumenik, kur nuk vjen personalisht, dërgon një delegacion
të përbërë nga bashkëpunëtorë të afërt të tij. Delegacini kryesohet gjithnjë nga një
metropolit. Sivjet kryetar i delegacionit është metropoliti i Francës, Emanuel, i
shoqëruar nga metropoliti i Sasimës, Genadios, sekretar i Komisionit të përbërë ndërkombëtar
për dialogun. Kjo do të thotë se gjatë bisedimeve që do të ketë delegacioni në Romë,
do të flitet edhe për takimin e Komisionit të përbërë, që do të mbahet në Ravenë nga
8 deri më 15 tetori i ardhshëm. Pyetje: - Edhe dy fjalë për arritjet në
dialogun ndërmjet katolikëve e ortodoksëve?Përgjigje: - Pas takimit të Beogradit,
pozitiv si në zhvillimin e tij, ashtu edhe në çështjet që u trajtuan, në sesionin
e ardhshëm duhet të vijojë studimi i bërë mbi kolegjialitetin dhe autoritetin në Kishë;
në nivele të ndryshme të Kishës: në nivel dioqezan e në nivel metropolitan patriarkal;
e, kujtojmë edhe se tema e sesionit të ardhshëm është ‘Kolegjialitet e autoritet në
Kishë, në nivel universal”, dmth se Komisioni përgatitet të studiojë çështjen më të
rëndësishme të marrëdhënieve ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse, që ka të
bëjë me rolin e Papës në Kishën e Hyjit.