Shenjti i ditës: Shën Ireneu i Lionit, ipeshkëv e maritr.
(28.06.2007 RV)Ireneu, që në shqip do të thotë Paqësor, njeri i paqes me emër
e me vepra, është figurë me rëndësi të dorës së parë në historinë e Kishës. Me origjinë
nga Azia, i lindur në Smirnë, në vitin 177 u nis nga Galileja për t’u ulur në fronin
ipeshkvnor të Lionit, duke zënë vendin e ipeshkvit martir Potinit, pak kohë pasi qe
dërguar në Romë për të sqaruar disa çështje doktrinore. Kur arriti në vend, gjysma
e priftërinjve dhe e besimtarëve të Kishës, së cilës do t’i printe, ishin martirizuar.
Mbeti i vetmi ipeshkëv për të gjithë Galinë. Ai, grek, mësoi shumë shpejt gjuhën e
barbarëve, për të ugjillëzuar popullsitë keltike e gjermanike. E atje ku nuk arrinte
zëri i tij, arrinte fjala e shkruar. Në pesë librat e Ireneut kundër herezive, ndjehet
jo vetëm forca e apologjistit të madh, por edhe ëmbëlsia e bariut të mirë, të shqetësuar
për ndonjë nga delet e humbura, të cilën bën çmos ta rikthejë në vath. E pikërisht
për këtë figurë madhore foli pak kohë më parë, Benedikti XVI. Feja që përmbahet
në Ungjill nuk është privilegj i pak intelektualëve, por mund të kuptohet e të pranohet
nga të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhës të Apostujve, duke
nisur nga Papa. Kështu Ati i Shenjtë Jozef Racinger iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve
të pranishëm më 28 mars 2007 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën e
përgjithshme, duke folur mbi unicitetin, mbi universalitetin dhe frymëzimin hyjnor
të krishterimit, ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën Ireneu ipeshkëv i
Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnjostike. Duke kujtuar
cilësitë e ipeshkvit të lashtë francez, Ireneut, Papa e quajti “kampion të luftës
kundër herezive” dhe prelat të aftë për të ripohuar “konceptin e pastër të traditës
apostolike” Papa citoi edhe fjalët që i pati përdorur Ireneu për t’i kundërshtuar
heretikët:“Kisha, megjithëse e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e
apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën
mënyrë, beson në këtë të vërtetë, si të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të
vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton si të
kishte një gojë të vetme”, duke pasur mirë parasysh se tradita apostolike është “e
frymëzuar nga Shpirti Shenjtë”.