2007-06-28 17:21:40

Kardinali Toran shpjegon arsyet e rivendosjes të kryesisë së Këshilit Papnor për Dialogun ndërfetar, që iu besua të hënën e kaluar nga Papa.


(28.06.2007 RV)RealAudioMP3 Gjatë vizitës, të hënën e kaluar, në Arkivin Sekret dhe në Bibliotekën e Vatikanit, që do të mbyllet për një kohë të gjatë, duke nisur nga 14 korriku i ardhshëm, Benedikti XVI shfrytëzoi rastin për të dhënë njoftimin mbi emërimet e reja jo vetëm në kryesinë e Bibliotekës, por edhe të Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar. Ka kaluar më se një vit që kur kryesia e këtij Këshilli Papnor iu besua kryetarit të dikasterit papnor të kulturës. Tani Papa vendosi që Këshilli në fjalë të ketë sërisht kryetarin e vet, duke ia besuar këtë detyrë, që nga 1 shtatori i ardhshëm, kardinalit Zhan-Luis Toran, që largohet nga detyra e bibliotekarit dhe arkivistit të Kishës së Shenjtë Romake. Në mikrofonin e Radios sonë, Hirësia e Tij shpjegon arsyet e këtij vendimi:
Përgjigje: - Mendoj se është shenjë që tregon se Papa i jep rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet feve, posaçërisht dialogut me Islamin. Prandaj vendosi që ky Këshill të rifitonte pavarësinë, për të qenë një mjet më i frytshëm në shërbim të këtij dialogu ndërmjet feve.

Pyetje: - A mund të themi se për marrjen e këtij vendimi nga ana e Papës, një farë roli e luajti edhe kriza e Regensburgut?
Përgjigje: - Po, mendoj se pati ndikim vendimtar, edhe pse në saje të reagimeve, Papa mundi të kthjellojë mendimin e tij e, në se lexon fjalimet që Ati i Shenjtë u drejtoi ambasadorëve të vendeve arabe, por edhe atyre të ardhur nga Azia për të paraqitur letrat kredenciale, vërehet shumë mirë filli i kuq i këtij mendimi të Atit të Shenjtë, i cili mendon se dialogu ndërfetar është faktor i paqes e se fetë janë në shërbim të paqes.
Pyetje: - Hirësi, ju jeni diplomat dhe keni marrë pjesë në misionet më delikate në zona të nxehta të botës: a mund të na thoni, pse Papa jua besoi pikërisht juve drejtimin e këtij Këshilli?
Përgjigje: - Mendoj se, sipas asaj që më ka thënë Ati i Shenjtë, përvoja që kam për problematikën e Lindjes së Mesme dhe njohuritë për botën arabe, mund të më ndihmojnë të vë një guralec në themelet e dialogut ndërmjet feve.
Pyetje: - Është tepër shpejt të flasim për atë që do të jetë në plan të parë të impenjimit tuaj për muajt ardhshëm, por ndoshta mund të na thoni me ç’frymë po përgatiteni ta filloni detyrën e re?
Përgjigje: - Do të përpiqem sidomos të dëgjoj me vëmendje bashkëpunëtorët e mi, të cilët do të më njohin me dosjet e ndryshme, që janë mbi tryezën e punës, por tani për tani, duke menduar për të ardhmen, dëshiroj të favorizoj një punë me karakter koncentrimi, për shembull, ndërmjet Këshillit Papnor e Sekretarisë së Shtetit, Kongregatës për Kishat Lindore, Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve dhe Istitutit Papnor për studimet arabe, në mënyrë që të gjithë të kenë një vizion të plotë të problematikës së këtij dialogu ndërmjet feve.
Pyetje: - Për të përfunduar, a mund të themi se dialogu ndërfetar sot është i domosdoshëm në të gjithë botën, e posaçërisht në Lindjen e Mesme, që kalon përsëri një situatë të vështirë?
Përgjigje: - Natyrisht. Në të vërtetë më kujtohet se Papa, kohët e fundit, në Bolonjë, tha se dialogu me myslimanët, për shembull, nuk është çështje kalimtare, por pjesë përbërëse e veprimtarisë së Kishës, sepse Kisha, në se mund të shprehemi kështu, është dialog, në atë masë që Krishti është Fjala e Hyjit, e prej këndej Kisha, për vetë natyrën e saj, është fjalë, bisedë, dialog.







All the contents on this site are copyrighted ©.