2007-06-27 17:58:25

Nesër Papa do të shpallë Vitin Paolin në dymijëvjetorin e lindjes së Apostullit të Popujve.


(27.06.2007 RV)Nesër, në Bazilikën Papnore të Shën Palit jashtë mureve të Romës, Benedikti XVI do të shpallë Vitin Paolin: vit i posaçëm, kushtuar Apostullit të Popujve me rastin e dymijëvjetorit të lindjes.
Në orën 17. 30 Papa do të kryesojë në bazilikën paoline lutjet e para mbrëmësore pontifikale të solemnitetit të Shën Pjetrit e Shën Palit, të cilët Kisha i kremton më 29 qershor, kremtim që shënon fillimin e vitit kushtuar Shën Palit, i cili do të mbyllet më 29 qershor të vitit 2009. Nisma është e kardinalit Andrea Kordero Lanca di Montexemolo, kryeprift i Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës.
Kujtojmë se dje, me lutjet mbrëmësore dhe Meshën shenjte kryesuar nga kardinali Tarçizio Bertone në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, filloi triditshja kushtuar festës së Apostujve.
Sot, në orën 18.00, në lutjet mbrëmësore morën pjesë përfaqësues të bashkësive të ndryshme të krishtera, që shpallën së bashku, pranë Elterit të Konfesionit, Himnin e dashurisë’ shkruar nga Shën Pali Apostull. Në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, lutjet mbrëmësore dhe Mesha solemne do të kryesohen nga abati benediktin Edmund Pauer, në bashkëkremtim me kardinalin Andrea Kordero Lanca di Montexemolo, kryeprift i bazilikës së Shën Palit jashtë muerve të Romës. Në orën 20.00 do të kremtohet proçesioni i zinxhirit të Shën Palit.







All the contents on this site are copyrighted ©.