2007-06-25 18:15:34

Shqiptarët e Shqipëria në Bibliotekën Apostolike dhe në Arkivin Sekret të Vatikanit.


(25.06.2007 RV)RealAudioMP3 Në se duam të njihemi me gjurmët më të lashta të historisë e të kulturës së shqiptarëve, duhet të trokasim patjetër në portën e bronztë, stolisur me simbole domethënëse, të Bibliotekës ose të Arkivit Sekret të Vatikanit, ku hyjnë e dalin për ditë shkencëtarë nga të katër anët e botës.
Aty ruhet kopja e vetme e librit të parë të shqipes së shkruar, “Mesharit”, që imzot Nikollë Kazazi e zbuloi rastësisht më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides kur, si Argjipeshkëv i Shkupit, ishte për vizitë në Romë, për t’ia dërguar pastaj Gjergj Guzetës (Giorgio Guzzetta, 1682-1756), themelues i Seminarit shqiptar në Palermo. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri, që fillimisht bënte pjesë në koleksionin e pasur të kardinalit Stefan Borxhia, kaloi në Bibliotekën e Vatikanit, për t’u nxjerrë në dritë, pas shumë vitesh harrimi, nga imzot Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941), prelat e dijetar arbëresh nga Sicilia, i cili e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim e transkriptim të tij. Për fat të keq, studimi i gjerë i Skiroit për Mesharin e Buzukut u botua vetëm pjesërisht. Më 1929 në Bibliotekën e Vatikanit shkeli gjuhëtari i shquar françeskan, atë Justin Rrota (1889-1964), i cili bëri tri kopje të ‘Mesharit’, disa fragmente të të cilit i botoi një vit më pas në shtypshkronjën françeskane në Shkodër.
Për herë të parë botimin e plotë të ‘Mesharit’ e mori përsipër më 1958, Namik Ressuli (1908-1985), të cilit natyrisht iu desh të shkonte në Bibliotekën e Vatikanit për ta fotokopjuar veprën, e cila u botua nga Shtëpia Botuese e Vatikanit.
Dhjetë vjet më vonë, gjuhëtari Eqrem Çabej (1908-1980), pasi kishte studiuar gjatë në Bibliotekën e Vatikanit, bëri botimin kritik të ‘Mesharit’ në dy vëllime në Tiranë. Vëllimi i dytë përmban një faksimile të origjinalit, realizuar në këtë Bibliotekë.
Përveç Çabejt, ‘Mesharin’ do ta shfletonte Martin Camaj i cili gjatë hulumtimeve për veprën e tij të rëndësishme ‘Meshari’ i Gjon Buzukut, (Romë 1960), kaloi disa muaj në Bibliotekën e Vatikanit, ku u frymëzua edhe për veprën e tij ‘Palimpsest’, një kërkim i ethshëm poetik në nënshtresat e papireve e të pergamenave të moçme, për të hyrë, me seriozitet shkencor, jo me bujë shterpe, në historinë e gjuhës shqipe e të shqiptarëve shumë më thellë se viti 1555.
Në Bibliotekën e Vatikanit ruhet edhe vepra e dytë e shqipes së shkruar, ‘E mbsuame e krështerë’, (Romë 1592), apo Doktrina e Krishterë, një katekizëm prej njëzetetetë faqesh, që prifti arbëresh Lekë Matrënga e përktheu nga një vepër latinisht e jezuitit spanjoll Jakob Ledesma (1516-1575). Kopja e parë në dorëshkrim e përkthimit, me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454.
Kopja origjinale e Veprës së parë të Budit, ‘Dottrina Christiana’ ose ‘Doktrina e Kërshtenë’, përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621), botuar në Romë më 1618, ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban, shënuar me dorë në fund të faqes, kushtimin: "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).
Në Bibliotekën e Vatikanit shërbeu si përkthyes i greqishtes arbëreshi Pietro Pompilio Rodotà, (lindur më 1707), shkolluar në kolegjin grek në Romë. Është autori i një vepre të rëndësishme për historinë e kishës në Itali e në Shqipëri të titulluar ‘Dell'origine, progresso e stato presente del rito greco in Italia’.
Imzot Pal Skiroi, Papas Gaetano Petrota, Atë Justin Rrota, Atë Zef Valentini, Atë Vinçenc Malaj, Injac Zamputi, Kolë Ashta, Eqrem Çabej, Namik Resuli, Martin Camaj janë disa nga shqiptarët me emër – pa kujtuar shumë të tjerë që kanë shkelur kohët e fundit në Bibliotekën e në Arkivin Sekret të Vatikanit, prej nga dolën me vepra origjinale, të një rëndësie të dorës së parë për kulturën shqiptare. Kujtuam këtu vetëm disa emra e disa relike shqipe në Vatikan. Por lista e librave të skeduar, që kanë të bëjnë me shqiptarët, duke përfshirë edhe botimet më të reja serioze, është ku e ku më e gjatë. E është kjo gjëja e parë që duhet të kërkojë studiuesi i sotëm, kur i krijohen mundësitë fatlume të shkelë në pragun e “shtëpisë së shkencës, të kulturës e të humanizmit” apo në “peshtafin për kërkime erudite në fushën e historisë së lashtë e bashkëkohore, të hapur pa pengesa për studiuesit, por larg polemikave shterpe, të nxitura nga lexime të njëanshme të historisë’ – siç i quajti sot Papa Bibliotekën dhe Arkivin Sekret të Vatikanit. E menjëherë pas listës, studiuesi shqiptar duhet të ketë mirë parasysh se ky mjedis mahnitës të largon nga çdo prirje për bujë, që nuk pajtohet fare me shkencën serioze.







All the contents on this site are copyrighted ©.