2007-06-25 20:08:31

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Kisha, si Shën Gjon Pagëzuesi, ta dëshmojë të vërtetën pa kompromise.


(25.06.2007 RV)Si foli për solemnitetin e djeshëm të Shën Gjon Pagëzuesit, Papa u lut që Kisha, duke ecur në gjurmët e Pararendësit të Krishtit, ta dëshmojë të vërtetën dhe dashurinë me guxim e pa kompromise. E ndoqën 50 mijë besimtarë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.
Më 24 qershor Kisha përkujton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit: solemnitet aq i rëndësishëm, sa të kremtohet edhe të dielën, që është Dita e Zotit. Papa shpjegoi arsyen: Jeta e Shën Gjonit, ashtu si ajo e Virgjërës Mari, iu kushtua krejtësisht Krishtit:
“Gjon Pagëzuesi qe pararendësi, ‘zëri’ i dërguar për të kumtuar Krishtin, Fjalën e mishëruar. Prandaj, ta kremtosh ditëlindjen e tij do të thotë të kremtosh Krishtin, përmbushjen e premtimeve të të gjithë profetëve, nga të cilët Pagëzuesi qe më i madhi, sepse i thirrur të përgatisë udhën para Mesisë”.
Benedikti XVI kujtoi se të gjithë ungjijtë e fillojnë rrëfimin mbi jetën publike të Jezusit, duke përshkruar sesi Gjoni e pagëzoi Zotin në lumin Jordan. E edhe libri im “Jezusi i Nazaretit – nënvizoi Papa – nis me këtë ngjarje, që asokohe pati jehonë të jashtzakonshme. Njerëzit rendnin nga Jeruzalemi e nga të katër anët e Judesë për të dëgjuar Shën Gjon Pagëzuesin e për t’u pagëzuar prej tij në lumë, duke rrëfyer mëkatet e tyre. Gjoni është i famshëm, megjithëse nuk kumton vetveten, por “Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatin e botës”. Ai është dëshmitari i parë i Jezusit që, duke pasë marrë shenja nga qielli, e tregon atë si Birin e Hyjit e shpërblyesin e njeriut. Rrëfen, kështu, të vërtetën, pa kurrfarë frike:
Si profetë i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhërave të Hyjit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kështu, kur akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje kurore, e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit, që është vetë e Vërteta. T’i lutemi të ndërmjetësojë për ne, së bashku me Zojën e Bekuar, që edhe në ditët tona Kisha t’i qëndrojë gjithnjë besnike Krishtit e ta dëshmojë me guxim të vërtetën e tij e dashurinë e tij për të gjithë”.
Papa ia besoj ndërmjetësimit të Shën Gjon Pagëzuesit të gjithë ata që, duke ndjekur shembullin e tij, përhapin në botë drejtësinë e Mbretërisë së Hyjit.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi se dje, e diela që i paraprin solemnitetit të Shën Pjetrit e të Shën Palit, në Itali kremtohej Dita për bamirësinë e Papës e se, në lëmoshët e djeshme, mblidhej i ashtuquajturi “Oboli” apo ‘Lëmosha e Shën Pjetrit’, që i shërben Papës për veprimtari bamirëse të veçanta:
“Të dashur besimtarë italianë, ju falënderoj me gjithë zemër për lutjen e për mbështjen solidare, me të cilën merrni pjesë në veprimtarinë ungjillëzuese e bamirëse të Pasardhësit të Shën Pjetrit në mbarë botën”.
Kujtojmë se veprat që janë realizuar me ‘Obolin e Shën Pjetrit’ janë të shumta: ndërmjet tyre: “Shtëpia e pritjes Gjon Pali II e veprës Don Orioni” në lagjen romake ‘Monte Mario’, e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për të strehuar falas shtegtarët e sëmurë që shtegtojnë në Qytetin e Amshuar; ‘Qyteti i fëmijëve të Nazaretit’ në Ruandë, që strehon jetimët e braktisur gjatë luftës civile; ‘Fshati i jetimëve’ në Kenia; disa spitale në Armeni e në Bosnjë, disa qendra për indianët e Amerikës Latine, në sa duhen kujtuar edhe ndërhyrjet në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmetet, përmbytjet e thatësirat në Afrikën Subsahariane. Çdo besimtar mund të japë kontributin e vet sado të vogël, për ‘Lëmoshën e Papës’. Për të ditur më shumë, mund të hapë kanalin e Vatikanit www. vatikan.va.







All the contents on this site are copyrighted ©.