2007-06-25 18:04:47

Liban: në stilin e Al Kaidës sulmi kundër Unifilit


(25.06.2007 RV)Në plan të parë të panoramikës ndërkombëtare gjendja në Liban, një ditë pas sulmit kundër forcave të OKB-së, Unifil, që shkaktoi 6 të vrarë, të gjithë spanjollë. Dënimi i të gjitha kancelarive botërore ka qenë i përgjithshëm dhe i ashpër. Sot është folur gjatë mbledhjes së Grupit të Kontaktit të zgjeruar për Darfurin, që u mbajt paradite në Paris. Nesër pritet që të shkojë në Paris edhe kryeministri libanez Fuad Siniora, i cili do të takohet me sekretaren amerikane të shtetit Kondolica Rajs. Qeveria e Madridit bën përgjegjës për sulmin grupin Fatah al-Islam, lëvizjen e lidhur me Al Kaidën, e cila që prej një muaji po lufton me ushtrinë libaneze në kampin e refugjatëve Nahr el Bared, në veri të Libanit.
Sot, pas takimit ndërmjet amerikanes Kondolica Rajs dhe presidentit francez Nikolas Sarkozi, të dy u shprehën për një Liban të pavarur nga ndërhyrjet e huaja. Bëhet qartë fjalë për Sirinë, e cila duhet të përgjigjet para një gjykate ndërkombëtare për vrasjen e ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri dhe për një seri atentatesh kundër politikanëve në zë. Pas atentatit të shkurtit 2005, Franca ka pezulluar marrëdhëniet dypalëshe me Damaskun. Sot, Siria dënoi atentatin që solli vrasjen e 6 spanjollëve në Liban. Ndërkaq, në mes të korrikut, grupet kryesore politike libaneze do të mblidhen në Paris për të rilidhur fillin e dialogut politik të ndërprerë në Bejrut.







All the contents on this site are copyrighted ©.